Kosovë, sot hapet panairi i automjeteve

Sot në në sallën e panaireve në Shkabaj, hapet zyrtarisht panairi i automjeteve “Prishtina International Autoshow”, e që do të zgjasë katër ditë radhazi.
Në ceremoninë e hapjes së këtij panairi pritet të marrin pjesë edhe personalitete nga institucionet e Kosovës, ministri i Zhvillimit Ekonomik, Valdrin Lluka, ministri i Tregtisë dhe Industrisë, Endrit Shala dhe kryetari i Komunës së Prishtinës, Shpend Ahmeti. Ndërkaq organizatorët e këtij panairi paralajmërojnë se do të ketë befasi të ndryshme për të gjithë vizitorët dhe se organizimi është madhështor. Në edicionin e dytë të panairit, i cili është më ndryshe se të gjitha panairet e mbajtur në Kosovë, do të prezantohen 23 brende të automjeteve me modelet e tyre më të reja, modele nga fjala e fundit e teknologjisë dhe inovacionit nga industria e automjeteve botërore. Të pranishëm në këtë panair do të jenë brendet: Audi, BMW, Citroen, Dacia, Fiat, Ford, Hyundai, Jaguar, Jeep, Kia , Lexus, Land Rover, Mercedes, Nissan, Opel, Peugeot, Porche, Renault, Skoda, Suzuki, Seat, Toyota, dhe Volkswagen.

Marketing

Përveç automjeteve që do të zënë pjesën kryesore të hapësirës prej mbi 2,000 m2, do të jenë prezente edhe kompani të tjera të cilat kanë lidhje me industrinë e automobilizmit si banka e institucione financiare, kompani të pajisjeve, vajrave dhe aksesorë për automjete por nuk do të mungojë as aspekti argëtues si muzikë, pije dhe ushqime të ndryshme. Në panair do të jetë edhe këndi i lojërave në mënyrë që ky eveniment të jetë gjithëpërfshirës dhe të ofrojë argëtim për të gjithë familjen. Panairi hapet në ora 15:00. Ky panair organizohet nga Shoqata e Importuesëve të Autorizuar të Automjeteve të Reja (SHIAR) në bashkëpunim me kompaninë për organizim të evenimenteve “MODUS”, si dhe mbështetet edhe nga Oda Ekonomike e Kosovës dhe Ministria e Tregtisë dhe Industrisë.