Janë mbi 250 persona të cilët janë ftuar nga Gjykata Speciale deri më tani në cilësi të ndryshme për intervistim. Derisa këto ftesa janë shpeshtuar ditëve të fundit, thuhet se deri në fund të muajit do të rezultojë me ngritjen e aktakuzave të para. Ata që në të ardhmen do të përballen me aktakuza dhe procese gjyqësore, do të ndihmohen nga buxheti i shtetit, mirëpo po konsiderohet se ‘Specialja’, do të ketë kosto të madhe për Kosovën, dhe se fondi në vlerë prej 1,5 milion euro, i cili parasheh mbrojtjen e të akuzuarave, nuk do të mjaftojë.
Kryetari i OVL-UCK-së, Hysni Gucati thotë për KosovaPress, se në bazë të informatave që ka organizata, shumë shpejt do të ndodhin edhe arrestimet e para.
Gucati: Shumë shpejt do të jenë aktakuzat e para (Video) “ Diku rreth 250 ftesa janë deri më tani nga Gjykata Speciale. Kjo të len përshtypje dhe të lë me nënkuptu, këto ftesa që janë marrë aq shpesh dhe janë duke ardhur, shumë shpejt do të fillojmë me aktakuzat e para në bazë të informacioneve që kemi, dhe në bazë të takimeve me ndërkombëtarë, në bisedë e sipër që na pyesin ata neve rreth aktivitetit se çfarë do të ndodhë nëse arrestohet dikush. Na len një përshtypje që do të ketë aktakuza të para”, thotë Gucati.
Krahas kësaj, Gucati thekson se nuk dihet edhe sa persona do të marrin ftesë nga Specialja, megjithatë, ani pse nuk ka përmendur emra, ai thotë se ditëve të fundit u janë marrë pasaportat disa personave.
“Pasaportat që ju kanë ndalë disave, nuk kanë drejtë me udhëtu jashtë vendit, këtu është përshtypja që aktakuzat e para do të ngritën. Kjo është edhe një plus tjetër. Ne besojmë që brenda këtij muaji apo deri ka fundi i vitit apo dhjetori”, shton Gucati.
Marrë parasysh numrin e madh të ftesave nga Specialja, Kosova pritet të shpenzojë buxhet të madh për mbrojtjen e të ftuarve. Rreze Hoxha nga Grupi për Studime Juridike dhe Politike, thotë për KosovaPress, se është e paqartë se ata që po intervistohen nga Zyra e Prokurorit të Specializuar, janë në cilësinë e të dyshuarve apo të dëshmitarit. Megjithatë, thekson se fondi i cili është paraparë për mbrojtjen e tyre do të jetë i pamjaftuar.
“Janë marrë vendime ku është shpërndarë një pjesë e fondit për disa persona që kanë qenë të ftuar nga Gjykata Speciale, mirëpo për të cilët nuk ka informata zyrtare, nëse të njëjtit janë të akuzuar apo jo. Nëse vazhdojmë me këtë avaz, ndoshta edhe fondi i cili është paraparë për këtë çështje do të mund të ishte i pamjaftuar. Gjithmonë duhet të kemi parasysh që të mos krijojmë baza diskriminuese personave të cilët mund të jenë figura publike, të cilët do të kishin nevojë për ndihmë nga buxheti i Kosovës. Buxheti i paraparë ka qenë 1,5 milion për vitin 2019, është paraparë që i njëjti buxhet të jetë edhe për vitin 2020 dhe 2021”, tregon Hoxha.
Krahas kësaj, Hoxha thotë se Ministria e Drejtësisë duhet të riqartësojë se kur duhet të shfrytëzohet ky fond.
Kryetari i OVL-UCK-së thotë se nuk do të mjaftojë fondi 1,5 milionësh, derisa potencon se ky buxhet i ndarë ka filluar të shfrytëzohet, ani pse ende nuk ka aktakuza.
“Fondi është shumë i vogël me këtë numër të madh të të ftuarve tash. Ne e dimë që këta duhet të mbrohen me ligj se ka votu Kuvendi i Kosovës, edhe Gjykatën Speciale, por edhe mbrojtjen e tyre. Ne e dimë se nëse nesër ndodhë, fillojnë aktakuzat, këto pare nuk do të mjaftojnë. Ne kemi bërë thirrje që qeveria e ardhshme të rris fondin për të mbrojtur veteranët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, si çdo shtet që i mbron. Se këto 1,5 nuk do të dalin… unë e di që ky 1,5 milionëshi tash ka filluar edhe të harxhohet që e kanë paguar avokatët një pjesë e tyre, po ka filluar është e vërtetë. Para disa ditëve u ndan disa mjete për tre deri më tash, nëse nuk gaboj 100 mijë euro ”, deklaron Gucati.
Sipas tij, kjo do të jetë një kosto e madhe për shtetin e Kosovës, derisa nuk dihet ende se edhe sa do të ftojë Specialja për intervistim.
Gucati derisa ka folur për fondin i cili është i ndarë për mbrojtje juridike për të ftuarit nga Specialja, tregon se ka pasur veteranë të cilët janë në cilësinë e të dyshuarit dhe nuk kanë pranuar të kenë avokatë, për arsye se e quajnë vetën të pafajshëm, por edhe për të ruajtur buxhetin e Kosovës.
Për këtë kishte reaguar edhe Këshilli për Mbrojtjen e të Drejtave dhe Lirive të Njeriut, ku kërkohej që të rritet buxheti për mbrojtjen e të akuzuarve nga Specialja.
“KMDLNj, edhe para miratimit të këtij Ligji pati kërkuar që të mbulohen të gjitha shpenzimet për të akuzuarit potencial , pa e paragjykuar rastin si dhe mbulimin e të gjitha shpenzimeve për anëtarët e ngushtë e familjeve të tyre për faktin se , edhe të akuzuarit / të dënuarit eventual / si dhe familjet po detyrohen të shkojnë në një vend tjetër, disa mijra kilometra larg, pa vullnetin e tyre dhe në kundërshtim me Rregullat Evropiane të Burgjeve dhe konventat për të drejtat e njeriu të personave të privuar nga liriat. Është një praktikë pozitive dhe afirmative ndërkombëtare që personat e privuar nga liria dhe ata të dënuar e gëzojnë të drejtën të jenë sa më afër vendit ku jetojnë dhe sa më afër familjeve të tyre”, thuhet në reagimin e KMDLNJ-së.
Nga Zyra për Koordinimin e Mbrojtjes Juridike për të akuzuarit potencial nga Specialja, ishin ftuar dy emra, Rilind Berisha e Driton Lajçi, që bashkë me ministrin në detyrë të Drejtësisë, Abelard Tahiri gjatë kësaj jave marrë në pyetje për rrjedhjen e informacioneve.
KosovaPress ka provuar të kontaktojë me Berishen e Lajçin, por të njëjtit nuk kanë qenë të qasshëm.
Ligji për Mbrojtjen Juridike dhe Mbështetjen Financiare të Personave të Akuzuar Potencial në Proceset Gjyqësore pranë Dhomave të Specializuara, ishte miratuar në Kuvendin e Kosovës, me 3 gusht të vitit 2015. Në bazë të këtij ligji të gjithë personat e akuzuar e kanë të drejtën e kërkesës për asistencë në mbulimin e shpenzimeve të mbrojtjes.
“Dispozitat e këtij ligji zbatohen ndaj çdo personi i cili akuzohet për krimet e pretenduara në proceset gjyqësore pranë Dhomave të Specializuara duke përfshirë mbrojtjen juridike për personat e akuzuar dhe mbështetjen financiare të anëtareve të ngushtë të familjes së tyre për udhëtimet që ndërlidhen me procedurat gjyqësore, që mbahen jashtë Republikës së Kosovës”, thotë neni 2 i këtij ligji.
Ndryshe, në muajin e fundit janë intensifikuar ftesat nga Gjykata Speciale, ku ftesë ka marrë njëri ndër themeluesit e UÇK-së, njëherësh kryetari i PDK-së, Kadri Veseli, ish anëtari i Shtabit të Përgjithshëm, Rexhep Selimi, dhe ministri në detyrë Drejtësisë, Abelard Tahiri.