Kosovë: Tre të vdekur, 49 të infektuar me koronavirus

Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike në Kosovë ka raportuar të mërkurën për 49 raste të reja me koronavirus, pas marrjes së 509 mostrave.

Marketing

Sipas këtij Instituti, përgjatë 24 orëve të fundit janë regjistruar tri viktima, duke e çuar në 638 numrin total të të vdekurve me koronavirus në Kosovë.

Autoritetet shëndetësore kanë raportuar më 7 tetor për 92 persona që kanë mposhtur virusin, derisa raste aktive janë edhe 1,157.

Prej raportimit të rasteve të para me koronavirus në Kosovë, më 13 mars, IKSHPK-ja ka raportuar për 15,938 të prekur me sëmundjen COVID-19, që shkakton koronavirusi.

Shërbimi Spitalor dhe Klinik Universitar i Kosovës (SHSKUK) ka njoftuar po këtë ditë se në institucionet publike shëndetësore në Kosovë, aktualisht janë të shtrirë 164 pacientë, prej tyre 79 janë të prekur me koronavirus.

Në raportin ditor të SHSKUK-së është thënë se dy pacientë janë në respiratorë, 13 tjerë janë duke u trajtuar me makinat e frymëmarrjes, CPAP, derisa 99 të tjerë janë në oksigjenoterapi.

Kosova ka gjithsej 700 shtretër në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës dhe në spitalet rajonale.