Kosovë, vazhdon greva në arsim

SBASHK-u ka mbajtur sot takim të jashtëzakonshëm me kryetarët e Kuvendeve Sindikale Komunale të Arsimit Parauniversitar dhe të Universiteteve për të debatuar mbi takimin e kryetarit të BSPK-së Atdhe Hykolli mbrëmë me kryeministrin Albin Kurti.

Marketing

Në njoftim për media thuhet se kreu i BSPK-së ka informuar pjesëmarrësit e këtij takimi për diskutimet në takimin me kryeministrin.

Kryetarët e nivelit komunal sindikal dhe të universiteteve kanë përgëzuar kryetarin Hykolli për përpjekjet që të krijohen kushtet për dialog mes Qeverisë dhe Këshillit Grevist të BSPK-së duke uruar që ky dialog edhe të ndodhë me qëllim që të debatohen të gjitha çështjet dhe të arrihet marrëveshje e pranueshme.

Qëndrim unanim i pjesëmarrësve të këtij takimi ishte që derisa Qeveria nuk ulet në dialog me Këshillin Grevist të BSPK-së dhe nuk realizon kërkesat legjitime të grevistëve, greva do të vazhdojë.

Ndryshe, ministrja e Arsimit Arbërie Nagavci sot serish ka bërë thirrje për ndërprerjen e grevës së nisur në arsim më 25 gusht.

Kërkesat e SBASHK-ut janë pagesa e 100 eurove për çdo muaj deri në miratimin e ligjit për pagat dhe pjesëmarrja e tyre në dialogun social.