Kosovë/ Vazhdon sot seanca për presidentin

Edhe sot do të mblidhet Kuvendi i Kosovës për të vazhduar seancën për zgjedhjen e presidentit. Kjo pasi që në seancën e së shtunës mungoi kuorumi në vendimmarrje gjatë votimit të përsëritur të raundit të parë për presidentin e vendit.

Marketing

Me ç‘rast Kryetari i Kuvendit të Kosovës Glauk Konjufca, tha se seanca do të vazhdojë të dielën në orën 17:00.

“Në mungesë të kuorumit të mjaftueshëm për vendimmarrje gjatë votimit të përsëritur të raundit të parë për zgjedhjen e presidentit të Republikës së Kosovës seanca do t’i vazhdojë punimet nesër me datën 4 prill 2021 në orën 17:00”, tha ai.

Në seancën e së shtunës dy herë është përsëritur raundi i parë i votimit për zgjedhjen e presidentit të Kosovës meqë nuk është arritur kuorumi prej 80 votave.

Në votimin e parë morën pjesë 78 deputetë, ndërsa në të dytin 79. Janë tre deputetët e Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Avdullah Hoti, Agim Veliu e Driton Selmanaj që nuk kanë marrë pjesë në votimin për të parin e shtetit. Rikujtojmë që të tre këta deputetë janë ish-bashkëpartiakët e Vjosa Osmanit, tani pretendente për presidente e propozuar nga Vetëvendosjes e që vie.

Ndonëse shkuan në sallën pleanre, por deputeti njëhierit edhe u.d i kryetarit të PDK-së, Enver Hoxhaj bashkë me Bedri Hamza u larguan nga salla kur ishte momenti që të hidhej në votim zgjedhja e presidentit.

Ata që nuk morën pjesë në seancë ishin deputetët e AAK-së, përjashtim, bëri Albena Reshitja. Ajo veçse ishte prezentë në sallë, madje edhe votoi, duke dalë kështu kundër partisë së saj që udhëhiqet nga Ramush Haradinaj.

Ndërsa Lista Serbe bojkoti seancën për zgjedhjen e presidentit.

Kundërkandidati i Vjosa Osmanit është Nasuf Bejta.

Eugen Cakolli nga Instituti Demokratik i Kosovës thotë se situata e krijuar në Kuvendin e Kosovës është e paprecedentë dhe se është hera e parë që është dashur të përsëritet procedura për zgjedhjen e presidentit të vendit.

Në një bisedë për KosovaPress, Cakolli thotë se nëse deri më 5 maj nuk arrihet të përmbyllen tre raundet e votimit suksesshëm, atëherë Kosova futet në një terr kushtetues.

“Në rast se arrijmë deri të data 5 maj pa i përmbyllur tri raundet e votimit suksesshëm atëherë Kosova do të futet në një terr kushtetues, meqenëse nuk ekziston asnjë dispozitë dhe asnjë rrugëdalje, të paktën jo e shkruar, në situatën kur vendi mbetet pa president, Kuvendi si i tillë shpërndahet automatikisht dhe mbesim me një qeveri në detyrë”, thotë Cakolli.

Ai thotë se është e domosdoshme që subjektet pulitke të mos pengojnë përmbylljen e formimit të të gjitha institucioneve dhe sipas tij shumica parlamentare duhet të gjejnë rrugëdalje nga kjo situatë duke arritur konsensusin e nevojshëm.

Drejtori i Institutit të Kosovës për Drejtësi, Ehat Miftari, për KosovaPre thotë se për t’u konsumuar raundi i parë për votimin e presidentit duhet të jenë 80 vota në kutinë e votimit. Nëse kjo ndodh, sipas tij, konsiderohet se votimi nuk ka ndodhur fare dhe mund të përsëritet.

Miftarja i pyetur se deri kur mund të hedhet në votim, duke pasur parasysh që Kushtetuta e Kosovës e përcakton që presidenti duhet të zgjidhet 30 ditë para përfundimit të mandatit të presidentit, Miftaraj thotë se në aspektin kushtetues afati i fundit është 5 maji kur duhet vendi të ketë president për të shmangur zgjedhjet./KosovaPress/