Kostadin Kostadinov, anëtar i kryesisë Qendrore të Lidhjes Socialdemokrate të Maqedonisë dhe kryetar i Strumicës edhe sot ka deklaruar se mbetet jashtë përbërjes së re qeveritare.
Para mbledhjes së kryesisë ekzekutive të partisë, ai refuzoi të komentojë – konfirmojë emrat që qarkullojnë në publik si ministra në Qeverinë e re të udhëhequr nga Dimitar Kovaçevski.
Megjithatë, u shpreh i bindur se edhe lidershipi i ri do të zgjedhë më të mirët.
“Unë jam i sigurt se ka kapacitet lidershipi i ri i partisë që para kryesisë ekzekutive dhe qendrore të propozojë më të mirën për partinë dhe për shtetin… Njerëz që do të jenë të përkushtuar ashtu siç ishin të përkushtuar kuadrot e deritashme”, tha Kostadinov.
Ndërkaq sa i përket se a ka konsesus brenda partisë për ministrat e ri, ai tha se kjo pritet të arrihet në mbledhjet që do të mbahen sonte.
“Për këtë janë mbledhjet e Ekzekutivit dhe Qendrores që të arrihet konsensusi dhe t’i gjejmë më të mirët për shtetin”, tha Kostadinov.