Kostadinovski: Politika t’i mbajë duart larg nga Gjykata Kushtetuese!

Politika t’i mbajë duart larg nga Gjykata Kushtetuese, ndërkaq qytetarët të mos bien pre e manipulimeve, kjo ishte porosia e kreut të Kushtetueses Darko Kostadinovski në fjalimin e tij të fundvitit në lidhje me punën e këtij institucioni, të cilën e quajti të suksesshme.

Marketing

“Tentimet për politizim, etnizim të procedurave dhe vendimeve të Gjykatës, duke përdorur kualifikime jopërkatëse dhe të pahijshme për mua, për Gjykatën në mënyrë të pakontestueshme paraqesin trysni dhe ndikim politik. Edhe trysnitë edhe ndikimet edhe manipulimet në shumë raste, por edhe tani, i hedh poshtë me indinjatë”, tha Darko Kostadinovski, kryetar i Gjykatës Kushtetuese.

Në fakt, deklarata të tilla Kostadinovski ka dhënë në vazhdimësi, sidomos gjatë tre muajve të fundit kur para se të vendoset në Gjykatë, është diskutuar gjithandej për çështjen e Balancuesit dhe nisjen e procedurës për Ligjin për Përdorimin e Gjuhëve. Kjo, ka bërë që të ishte arsye për përplasje mes partive që akuzonin njëra-tjetrën për ndikime dhe trysni, për mbivotim në bazë etnike apo për atë se kush kë e ka ulur në kolltukun e gjykatësit.
I pyetur nga gazetari i Alsat se a mund të tregojë se kush ka bërë trysni, Kostadinovski tha se kjo është e dukshme, duke lënë të kuptohet se flet për deklaratat e përfaqësuesve të BDI-së dhe Frontit Evropian, të cilët madje protestuan me tenda para Gjykatës Kushtetuese, në ditët kur duhej të vendoset për nisjen e procedurës për Ligjin për Përdorimin e Gjuhëve.

“Mendoj aq dukshëm ishte gjatë periudhës së kaluar, pra si duket ajo kur dalin faktorë politikë pa i emëruar dhe thonë se procedurat tona çojnë drejt destabilizimit të shtetit. Si ashtu sundimi i së drejtës mund të destabilizojë shtet? Përkundër, mos-sundimi i së drejtës mund të destabilizojë shtet”, shtoi Darko Kostadinovski, kryetar i Gjykatës Kushtetuese.
Në pyetjen shtesë nga Alsat se si e komenton deklaratën e opozitës, që pikërisht Qeveria bën trysni, Kostadinovski tha se edhe kryeministri ka dhënë deklarata joshembullore.

“Unë publikisht kam thënë se kemi dëgjuar, deklarata joshembullore edhe nga kryeministri, në lidhje me atë se kush i ka zgjedhur dhe kush mund të ndikojë. Domethënë, një është trysni politike, tjetër është ndikim. Trysni politike janë edhe deklaratat për veprim politik, për veprim etnik, për mbivotim monoetnik. Ndikim është tërësisht tjetër gjë, ndikim nënkupton dikush që ka fuqi mund të ndikojë te gjykatësit si të veprojnë”, u shpreh Darko Kostadinovski, kryetar i Gjykatës Kushtetuese.

Kostadinovski tha se seanca përgatitore për lëndën e Ligjit për Përdorimin e Gjuhëve pritet që të mbahet në muajin mars, ndërkaq nesër pritet që të caktohet lista e pjesëmarrësve. Ai, gjithashtu porositi gjykatësit shqiptarë dhe të komuniteteve, të cilët bojkotuan seancën e 11 dhjetorit, të marrin pjesë me qëllim që sipas tij, të kryqëzohen argumentet.
“Pres që gjatë ditës së nesërme do të konstatohen edhe çështjet juridike kontestuese edhe lista e pjesëmarrësve. Gjithsesi ne kemi propozim nga gjykatësi raportues, por çdokush prej gjykatësve është i lirë të japë propozime shtesë. Pritjet e mia janë që në ato ditë, 19, 20 ose 21 mars do të mbahet seanca përgatitore”, tha ai.

Në seancën përgatitore pritet që të ketë edhe përfaqësues të Komisionit të Venecias, të cilët duhet ta sqarojnë Këshillën Miqësore për dispozitat kontestuese./Alsat.mk

Marketing