Çmimet e konsumit në Turqi u rritën me gati 70% në prill krahasuar me një vit më parë, duke arritur nivelin më të lartë të dy dekadave, tregojnë shifrat zyrtare.
Transporti, çmimet e ushqimeve dhe orenditë shtëpiake shënuan rritjen më të madhe të inflacionit vjetor, ku kostot e transportit u dyfishuan gjatë vitit. Qytetarët thonë se situata sa po vjen dhe po bëhet më e papërballueshme për ta.
“Sot dola në treg, kontrollova çmimet. Një kilogram mish i grirë është rritur deri në 150 lira (turke)”.
“Unë e lidh këtë situatë me politikat e gabuara ekonomike, me sirianët, mendoj se këto dy janë arsyet themelore. Dhe këtë e lidh edhe me korrupsionin. Të gjithë jemi në gjendje të rëndë.”
“Paga mujore që marr më zhduket për dhjetë ditë. Ja kështu më ka ndikuar inflacioni.”
Vendet në mbarë botën po përballen me një krizë në rritje të kostos së jetesës. Por problemet e Turqisë janë përkeqësuar nga ngurrimi i presidentit të saj për të rritur normat e interesit një mjet i përdorur zakonisht për të ndihmuar në uljen e inflacionit.
Kostoja e ushqimeve dhe pijeve joalkoolike shënoi një rritje vjetore prej 89,1%, ndërsa mobilimi dhe pajisjet shtëpiake u rritën me 77,64%.Në bazë mujore, çmimet u rritën me 7.25% në prill, sipas të dhënave nga Instituti i Statistikave Turke. Turqia gjithashtu ka parë një kolaps në vlerën e lirës, pasi Presidenti Rexhep Taip Erdogan i jep përparësi eksporteve mbi stabilitetin e monedhës.
Përballë presionit nga presidenti turk, banka qendrore e vendit ka ulur normat në 14% nga 19% që nga shtatori. Në prill ajo mbajti të qëndrueshme normat për të katërtin muaj radhazi, pavarësisht rritjes së inflacionit.