Kostoja e jetesës për muajin që lamë pas shënoi rritje për 3,5% thonë nga Enti shtetëror i statistikave.
Krahasuar me muajin tetor të vitit 2022 rritje prej 3,4% shënoi edhe indeksi i çmimeve me pakicë të ushqimeve dhe pijeve joalkoolike. Në raportin mujor të statistikave thuhet se gazi u shtrenjtuar 3,9%.
“Rritje të indekseve të kostos së jetesës në tetor 2023, krahasuar me muajin e kaluar, është shënuar te sheqeri, reçeli, mjalti, çokollata dhe ëmbëlsirat me 2.4%, produktet ushqimore të pa përmendura diku tjetër me 1.8%, pijet alkoolike me 1.4%. peshku dhe prodhimet e detit me 1,2%, vera me 1,0%, kafeja, çaji dhe kakao me 0,4%. Rritje është vërejtur edhe tek pajisjet elektrike 9,5%, transporti ajror i pasagjerëve me 5,2%, veterinaria dhe shërbimet e tjera për kafshët shtëpiake me 4,7%, gazi për amvisëritë me 3,9%, shërbimi për kafshët shtëpiake 2,2%, shërbime e amvisërisë, pjesë këmbimi për automjetet me 1,9%”, njoftojnë nga Enti Shtetëror i Statistikave.
Ndërkaq, sipas Entit rënie të çmimeve janë vërejtur nga lista e produkteve të përfshira në masa. Ndonëse ngrirja e çmimeve parashikonte ulje të së paku 10% të çmimeve, këtë kuotë e arriti vetëm qumështi.
“Ulje e indekseve të kostos së jetesës në tetor 2023, krahasuar me një muaj më parë, është vërejtur te qumështi me 10.1%, vezët me 9.0%, perimet e freskëta e të ftohta, përveç patateve dhe frutave të tjera me rrënjë me 8.6%, uji mineral, pijet e gazuara, lëngjet e fruta-perimeve me 6,4%, frutat e freskëta dhe të ftohta me 5,2%, birra me 4,3%, djathi dhe gjiza me 4,1%, mishi me 3,4%, buka dhe drithërat me 3,3% dhe vaji dhe yndyrat me 0,9 %”, thonë nga Enti Shtetëror i Statistikave.
Ministri i Ekonomisë Kreshnik Bekteshi tha se masat e qeverisë për ngrirje dhe ulje të çmimeve të produkteve ushqimore e pijeve po japin rezultat. Ndonëse, norma e inflacionit në muajin tetor ishte 3.5% dhe është përgjysmuar në krahasim me muajin e kaluar kur rritja e kostos së jetesës ishte 6.6%.
Bekteshi tha se kostoja e jetesës në sektorin e ushqimeve dhe pijeve joalkoolike shënoi një rritje prej 1% në muajin tetor, që sipas tij është një rënie drastike krahasuar me 7.8% të llogaritur në muajin e kaluar.
“Të dhënat janë të shkëlqyera në aspektin e uljes së çmimeve të produkteve ushqimore bazë, me këtë dëshmohet se institucionet i kanë miratuar masat me vëmendje, të cilat janë të orientuara në interes të konsumatorëve dhe në zbutjen e krizës ekonomike”, tha Kreshnik Bekteshi, Ministër i Ekonomisë.
Ndërkaq Maqedonia e Veriut është e dyta, nëse lista lexohet nga poshtë, në gjithë territorin e Evropës për fuqinë blerëse të qytetarëve tanë. Në mesin e vendeve Evropiane, ku përfshihen anëtarët e BE-së dhe Zonës së Tregtisë së Lirë Evropiane (EFTA), si dhe kandidatët për anëtarësim në Union, Maqedonia e Veriut është në vendin e parafundit me të ardhura prej 5,988 euro në vitin 2022 për kokë banori. Sipas të dhënave zyrtare pas nesh është vetëm Shqipëria, kurse para nesh gjitha vendet tjera të rajonit e BE-së