Kovaçevski: ADN-ja jonë kombëtare, gjuha maqedonase, do të jetë gjuhë zyrtare në BE

Propozimi evropian për zhbllokim të procesit tonë eurointegrues dhe për fillim të negociatave të vendit me BE-në në mënyrë të vërtetë i pasqyron pozicionet tona të definuara, theksoi sot kryeministri Dimitar Kovaçevski në fjalimin para deputetëve rreth Informatës për përmbajtjen e propozim-kornizës negociuese.

Marketing

“Së pari, qartë e precizon gjuhën maqedonase si gjuhë të vetme, të njohur dhe të pranueshme për Bashkimin Evropian. Kjo është ajo që e kërkuam. ADN-ja jonë nacionale, gjuha maqedonase, të jetë gjuhë zyrtare dhe e vetme oficiale. Po, me propozimin evropian, i tërë procesi i negociatave tona, të gjitha miliona faqet në vitet që pasojnë, përfundimisht me Aktin për anëtarësim të barabartë, do të shkruhen në gjuhën maqedonase. Në gjuhën maqedonase do të flitet zyrtarisht edhe në Bruksel dhe në të gjitha kryeqytetet evropiane. Kjo është e arritura më e madhe, suksesi më i rëndësishëm”, theksoi kryeministri.

Ai potencoi se të gjitha çështjet bilaterale nuk janë pjesë e Kornizës negociuese me Brukselin dhe ajo është e liruar nga lloji i tillë i çështjeve dhe me propozimin evropian, definohet mbajtja e Konferencës së parë ndërqeveritare menjëherë.

“Morëm përfundimisht, pas 17 viteve pritje, dhe shumë paralajmërimeve, dhe shumë zhgënjimeve pas tyre, fillim zyrtar të negociatave me takim të tërë Qeverisë me Komisionin evropian. Me të gjitha nishanet dhe standardet. E ajo është, deputetë të nderuar, e vërteta e vetme në këtë stuhi të manipulimeve, spekulimeve, lajmeve të rrejshme dhe dëmeve të qëllimshme dhe të paqëllimshme dhe krijim të krizës dhe destabilizimit të shtetit. propozimit të këtillë, i cili plotësisht i pasqyron interesat tona shtetërore dhe linjat e kuqe, unë, Qeveria dhe Presidenti i shtetit, i thashë dhe i thamë PO”, potencoi kovaçevski.

Ai theksoi se e tërë Korniza negociuese i është vënë në dispozicion tërë opinionit në mënyrë që gjithçka të jetë e hapur dhe asgjë e mbuluar dhe asgjë e fshehur.

“Thashë PO, sepse mendoj se ky propozim i vetëm, evropian është zgjidhja më e mirë e mundshme për momentin, por edhe në periudhën në vijim. Propozim i cili i ruan linjat e kuqe dhe në të njejtën kohë jep fillim përfundimtar të negociatave”, shtoi Kovaçevski.

Ai potencoi se me propozimin, akoma më fuqishëm do t’i përforcojmë themelet tona, gjuhën maqedonase, identitetin e posaçëm dhe të fuqishëm historik, kulturor dhe nacional, dhe për atë kërkuam dhe fituam zgjidhje më të mirë të mundshme.

“Sot morëm pjesë në mbledhjen e jashtëzakonisht të rëndësishme të Kuvendit. Edhe pse shumë herë në historinë tonë, politikanët shpesh e përdorin prapashtesën “historike”, megjithatë, atë në mënyrë mjaft objektive do ta bëj edhe unë, dhe do të shtoj – sot fillojmë mbledhje historike. Mbledhje historike, sepse sot dhe në ditët në vijim, vendosim për disa fondamente të shtetit tonë. Dhe për të ardhme më të mirë, edhe për një të tashme stabile, por edhe për mbrojtje dhe respektim të së kaluarës”, porositi kryeministri Kovaçevski.

Ai potencoi se shkak për debatin e sotëm është propozimi i vetëm i Komisionit evropian, i parashtruar në fund të kryesimit francez për definim të fillimit të negociatave të vendit me Bashkimin Evropian.

“Dëshiroj, qartë dhe me precizitet të potencoj disa fakte. Së pari, është e saktë se para samitit të BE-së në Bruksel, morëm një pako idesh, e jo propozim zyrtar dhe formal. për mua, për Qeverinë dhe partnerët e koalicionit, për Presidentin e shtetit dhe jam i bindur se për të gjithë qytetarët e shtetit, ai koncept nuk ishte i pranueshëm. Dhe prandaj, atje ku duhet, jo nën tryezë, jo në korridor, jo pa zë, por para të gjithë 27 liderëve të anëtareve të unionit dhe para tërë opinionit evropian, thashë zëshëm, saktë dhe qartë JO. Thashë JO, sepse ajo pako e ideve nuk ishte një pajtueshmëri me pozicionet tona konsensuale të definuara shtetërore, të konfirmuara këtu në Kuvend, me Rezolutën e posaçme për linjat e kuqe. Thashë JO, sepse ajo pako e ideve nuk e garantonte statusin e gjuhë maqedonase në negociata. Thashë JO, sepse ajo pako e ideve nuk definonte fillim të qartë të negociatave dhe udhëzonte për ndryshim të Kushtetutës dhe mbyllje të çështjeve bilaterale me fqinjin lindor, si parakushte. Shkurtë dhe qartë, thashë JO, sepse ajo bazë nuk ishte e mirë për shtetin e Maqedonisë së Veriut. Dhe treguam se si mbrohen interesat shtetërore dhe nacionale”, potencoi Kovaçevski.

Ai theksoi se nuk u ndal me kaq, vendi nuk u dorëzua dhe Qeveria nuk vendosi të aktrojë patriotizëm të rrejshëm.

“Përkundrazi, vazhduam të kërkojmë zgjidhje e cila do t’i përmbushë interesat shtetërore, por edhe nacionale të popullit maqedonas. Në linjat e njejta të kuqe, por edhe në obligimin e njejtë të fillojmë negociata, Ne nuk pranojmë dhe nuk zhvillojmë politikë në “ose ose”. Ne zhvillojmë politikë edhe për negociata për hyrje në BE dhe për mbrojtje të dinjitetit, identitetit, gjuhës dhe historisë sonë”, tha Kovaçevski.

Ai thekson se si rezultat i kësaj dhe mbështetjes së miqve të shumtë evropianë, arritëm të marrim një propozim të vetëm, formal, të rrumbullaksuar, të përbashkët të Bashkimit Evropian.

“Kemi pasur vendime të vështira, por të nevojshme deri më tani. Edhe kur miratuam Marrëveshjen Kornizë, edhe kur u miratua Marrëveshja e Prespës. Por shteti mbijetoi dhe nuk dështoi. Vendi nuk u nda, përkundrazi u inkuadrua në NATO dhe sot në kushte lufte dhe krize totale kemi siguri personale dhe kolektive. Dhe askush nuk ka arritur të asimilojë popullin maqedonas apo ndonjë popull tjetër në vend edhe në kohë më të vështira se kjo e tanishme. Palë të ndryshme janë përpjekur ta bëjnë këtë me shekuj. Dështuan atëherë, dështuan sot, nuk do të kenë sukses as nesër. Sepse mbrojtja më e mirë e identitetit është pikërisht përparimi i shtetit, lëvizja përpara dhe evropianizimi përfundimtar i shtetit”, shtoi Kovaçevski.

Ai thekson se Qeveria nuk do të lejojë, si në kohën e regjimit, shteti të kthehet në një enklavë të izoluar, të mbyllur dhe kriminale, në të cilën elita politike vjedh dhe plaçkit pa kuptim, dhe qytetarët kërkojnë pasaporta të huaja dhe punë jashtë vendit.

“Kjo është lufta e fundit midis shkatërrimit dhe pesimizmit, hapjes dhe optimizmit. Shteti ndërtohet çdo ditë, identiteti dhe veçantia respektohen përgjithmonë, por mbrohen çdo ditë. Para së gjithash në vend, por edhe jashtë. Më së miri bëhet kur je pjesë e progresit, zhvillimit, modernes dhe avancimit. Nuk do të lejojmë, si në të kaluarën, shteti dhe qytetarët të jetojnë në pasiguri, shqetësim dhe dilema të vazhdueshme se çfarë do të ndodhë nesër. Nuk do të lejojmë që vendi të mbetet në bishtin e Ballkanit, kur të gjithë ecin përpara, pavarësisht problemeve të tyre të natyrës së ndryshme”, theksoi kryeministri.

Ai thekson se Qeveria do të qëndrojë me vendosmëri në rrugën e mbrojtjes së gjuhës maqedonase, identitetit të veçantë historik dhe kulturor të popullit maqedonas përmes barazisë së tij me popujt evropian dhe ndërtimit të shtetit si vendet evropiane, me vlerat e respektit për ligjin, shtetin ligjor, barazinë, ekonominë dhe standardin e zhvilluar të jetesës.

“Dhe ne po e bëjmë këtë dhe do ta bëjmë me ndihmën e këtij propozimi dhe inkuadrimit tonë në Bashkimin Evropian. Duke pranuar propozimin evropian, Kornizën Negociuese dhe konkluzionet e Kuvendit, ne mbetemi në rrugën e vetme, për të cilën askush nuk ka ofruar alternativë për më shumë se 30 vjet. Në mënyrë shumë domethënëse, ne po fillojmë të ecim shpejt dhe të ndryshojmë vendin, përmes procesit të negociatave”, shtoi Kovaçevski.

Ai thekson se ky proces nuk përfundon sot e nesër, pasi nuk ka nisur sot, por në vitin 1991 me një plebishit të të gjithë qytetarëve.

“Prandaj, me bindje të patundur, me ndërgjegje të pastër dhe me zemër plot, sugjeroj që ta pranojmë propozimin dhe të ecim përpara, me një të kaluar të mbrojtur, me një të tashme të sigurt dhe të qëndrueshme në një të ardhme më në fund më të mirë. E bëj këtë, jo sepse duhet, jo sepse është e lehtë, por sepse besoj fort në drejtësi. Ia vlen të luftosh dhe të punosh për të, në këtë mënyrë. Prandaj kërkoj mbështetjen tuaj dhe të gjithë qytetarëve. Sepse shteti është i përbashkët për të gjithë dhe i të gjithëve. Krejt në fund, më lejoni të citoj: “Pirej është një bar me tre kërcell dhe disa e quajnë kostevë. Por mund ta gërvishtesh sa të duash, ta çrrënjosësh, ta shkulësh, prapë nuk vdes. Thjesht prekni pak tokën dhe ajo do të kapet përsëri, do të ringjallet, do të ndjekë. Asgjë nuk e shkatërron atë bar”, ka shkruar Petre M. Andreevski. E qartë, e fortë, e përjetshme. Le të rrojnë qytetarët, të rrojë Republika e Maqedonisë së Veriut”, theksoi kryeministri në fjalimin e tij.

Gjatë fjalës së kryeministrit, deputetët e VMRO-DPMNE-së bënë zhurmë me bori dhe fishkëllima për ta pamundësuar dëgjimin e fjalimit. Në fund të fjalës së tij pati duartrokitje nga deputetët e partive në pushtet, ndërsa ata të opozitës brohorisnin tradhtar.

Kuvendi në fillim të seancës me 68 vota “pro” dhe “38” kundër miratoi rendin e ditës të seancës së 81-të, në të cilën e vetmja pikë e rendit të ditës është shqyrtimi i Informacionit për përmbajtjen e Propozim kornizës negociuese për negociatat e anëtarësimit të Republikës së Maqedonisë së Veriut me Bashkimin Evropian, e propozuar nga Presidenca Franceze me Këshillin e Bashkimit Evropian më 30 qershor 2022.

Para votimit të rendit të ditës, deputeti Dimitar Apasiev nga E Majta ka theksuar proceduralisht se gjatë ditës në Kuvend shëtisin njerëz me armë të cilët nuk janë nga sigurimi i Kuvendit.

Kryetari i Kuvendit, Talat Xhaferi, u ka sqaruar se është duke i siguruar sigurinë kryeministrit dhe ministrave dhe të ftuarve të tjerë të lartë. “Në rregulloren e punës është shkruar se ata lejohen të jenë në Kuvend derisa personat që i sigurojnë janë këtu”, tha Xhaferi.