Kovaçevski: Do të ketë metodologji të re për pagat

Kryeministri Dimitar Kovaçevski, sot nga Parlamenti paralajmëroi se do të ketë rritje të pagave, futje të metodologjisë së re për rritje të pagave e cila do të varet nga rritja e kostos së jetesës, rritja e pagës mesatare dhe rritja e përformances së punëtorëve. Ai paralajmëroi futjen e ligjit për paga në të cilin do të dihet se cila do të jetë konsistenca dhe struktura e pagave në vend.

Marketing

Kryeministri duke i’u përgjigjur pyetjes së deputetit Bojan Stojanoskit nga VMRO-DPMNE, theksoi se një ligj i tillë tashmë ekziston në Belgjikë, Kosovë.

Sipas tij, Ligjet e tilla janë të dhimbshme sepse shumë nga administrata shtetërore nuk duan t’i pranojnë.

“Në çdo institucion ka punonjës që kanë paga mbi mesataren, por ka edhe punonjës në institucione që kanë paga më të ulëta, paga nën mesatare, dhe që kanë ngarkesë të mirë, por për shkak të çështjeve kronologjike, sistematike dhe të pazgjidhura kjo ka mbetur kështu”, shtoi ai.

Kryeministri informoi se u ka dhënë detyrë zëvendëskryeministrit për çështje ekonomike, ministrit të financave dhe ministrit të punës dhe politikës sociale që të përgatisin një zgjidhje të tillë ligjore, ndërsa dialogu social me Lidhjen e Sindikatave të Maqedonisë (LSM) do të kryhet për të krijuar një metodologji, e cila do të sigurojë paga më të larta.

Kovaçevski informoi se kjo Qeveri është duke bërë dialog me Lidhjen e Sindikatave të Maqedonisë (LSM) për të gjitha çështjet që kanë të bëjnë me punëtorët dhe më herët vendimet merreshin vetëm në Qeveri pa konsultim me sindikatat.