Kovaçevski – Gir: Procesi i skriningut po shkon mirë

Procesi i skriningut me BE-në është duke u zhvilluar mirë, është vlerësuar në takimin e sotëm të kryetarit të Qeverisë së Republikës së Maqedonisë së Veriut, Dimitar Kovaçevski dhe Dejvid Gir, shefit të Delegacionit të BE-së në shtetin tonë.

Marketing

Siç kumtuan nga shërbimi për shtyp i Qeverisë, në takim është shprehur mbështetje për hapat e ardhshëm në rrugën e eurointegrimeve të Maqedonisë së Veriut, me qëllim të rrjedhës së papenguar të procesit negociues.

Është konstatuar se progresi i eurointegrimeve është me rëndësi të madhe edhe për cilësinë e jetesës së qytetarëve të shtetit tonë edhe për stabilitetin e Bashkimit Evropian, për çka me rëndësi thelbësore konsiderohen fokusi, besimi dhe inkluziviteti i të gjitha palëve, në këtë proces.

“Është biseduar edhe për rëndësinë për zhvillimin e mëtejmë të procesit reformues, veçanërisht në fushën e gjyqësisë dhe është shprehur bashkërisht pritje për rezultatet e bazuara në kapacitete profesionale, parime dhe integritet”, thuhet në kumtesën e Sektorit qeveritar për marrëdhënie me opinionin.

Në takim është biseduar edhe për çështje të tjera aktuale, veçanërisht rreth pasojave të luftës në Ukrainë në korniza globale dhe sfidat në sferën energjetike me çka janë duke u përballur Evropa dhe bota, me ç’rast është shprehur pajtim për nevojën e qasjes solidare gjatë shqyrtimit të zgjidhjeve të mundshme.