Kovaçevski: Ia dolëm të arrijmë një marrëveshje të rëndësishme për të punësuarit në arsim

Kryeministri Dimitar Kovaçevski në Facebook ka përshëndetur marrëveshjen e arritur në mes të Sindikatës së Arsimit, Shkencës dhe Kulturës dhe Ministrisë së Arsimit dhe Shkencës dhe ka apeluar SASHK-un për pranim të shpejtë dhe të plotë të kushteve të dakorduara.

Marketing

“I’a dolëm të arrijmë një marrëveshje të rëndësishme për të punësuarit në arsim dhe të rrisim pagat për 15 për qind, duke filluar nga paga e shtatorit. Kjo rritje e pagave është më e madhja deri më tani dhe së bashku me rritjen prej 21 për qind deri më tani është historikisht mbështetja më e madhe për punonjësit në arsim. Deri para pesë viteve, rritja maksimale e pagave ishte 4 për qind, pa kriza globale”, shkruan Kovaçevski në Facebook.

Në status, Kovaçevski thekson se në kushtet e krizës më të madhe ekonomike dhe energjetike, përveç rritjes në përqindje, të punësuarit në arsim, përmes marrëveshjeve kolektive do të mund të respektojnë pagën minimale dhe përfitimet tjera.

“Njëkohësisht do të definohet metodologjia për rritje të vazhdueshme të pagave, e cila do ta mbrojë standardin e mësimdhënësve dhe do të mundësojë rritje të vazhdueshme të pagave pa nevojën e ndërhyrjes shtesë qeveritare, institucionale apo politike”, thotë Kovaçevski.