Kovaçevski: Me investimin e ri prej 200 milionë euro po bëhemi udhëkryq në Ballkan

Kryetari i Qeverisë së Republikës së Maqedonisë së Veriut, Dimitar Kovaçesvki, sot mbajti fjalim me rastin e ndërtimit të hekurudhës për fazën e parë dhe të dytë të Korridorit 8 dhe rikonstruimin e hekurudhës së Korridorit 10.

Marketing

Në nënshkrimin e marrëveshjeve morën pjesë zëvendëskryeministri për çështje ekonomike Fatmir Bytyqi, ministri i Financave Fatmir Besimi dhe ministri për Transport dhe Lidhj, Bllagoj Boçvarski, si dhe përfaqësuesit e kompanive “Savazh”, “Shtrabag”, “Gjulermak” dhe “MTV” dhe nga Delegacioni i BE-së dhe BERZH-it.

Në vazhdim ua përcjellim fjalimin e plotë të Kryeministrit Kovaçevski me rastin e kësaj ngjarje.

“Kam nderin dhe kënaqësinë e veçantë që me nënshkrimin e marrëveshjeve të sotme me NP HRMV-së dhe kompanitë kontraktore po fillojmë një proces shumë të rëndësishëm të revitalizimit të disa akseve kyçe me një gjatësi totale prej 96 kilometrash, përgjatë të cilave komunikacioni hekurudhor do të zhvillohet pa probleme dhe me efikasitet në vend dhe që do të kontribuojë në zhvillimin e përshpejtuar rajonal dhe ekonomik.

Bëhet fjalë për një investim prej 200 milionë euro në të cilin planifikohet revitalizimi i Korridorit 8 në aksin Kumanovë – Beljakovc, Beljakovc – Kriva Pallankë dhe remonti i aksit Nogaevc – Negotinë në Korridorin 10.

Punimet e ndërtimit, të cilat përfshijnë revitalizimin përveç përmirësimit të karakteristikave teknike të hekurudhës, do të sigurojnë modernizim të plotë sipas standardeve evropiane përmes ndërtimit të urave të reja, vendosjes së barrierave të sigurisë dhe mbrojtjes nga zhurmat dhe vibracionet, instalimin e pajisjeve të reja të sinjaleve për sigurim, ndërtimin e stacioneve të reja hekurudhore, etj.

Urime institucioneve për procedurën komplekse të zbatuar me sukses për përzgjedhjen e kontraktorëve në përputhje me rregullat e BERZH-it dhe urime kompanive të përzgjedhura nga të cilat presim realizim cilësor dhe në kohë në përputhje me marrëveshjen.

Realizimi i investimeve të planifikuara në infrastrukturën hekurudhore në korridoret 8 dhe 10 është një projekt jashtëzakonisht i rëndësishëm nga i cili do të përfitojë edhe Republika e Maqedonisë së Veriut, por edhe rajoni.

Ky është i fundit nga disa projekte të mëdha infrastrukturore që plotësojnë idenë e Maqedonisë së Veriut si udhëkryq i Ballkanit dhe që do të mundësojë lidhjen rajonale dhe integrimin e Republikës së Maqedonisë së Veriut në korridoret hekurudhore evropiane.

Investimi do të sigurojë gjithashtu hapjen e rrugëve të reja evropiane për transportin hekurudhor dhe do të na lidhë me portet në Shqipëri dhe Bullgari. Lidhja rajonale e këtij lloji është një moment jashtëzakonisht i rëndësishëm për ekonominë tonë.

Me këtë investim infrastrukturor hapen dhe praktikisht ofrohen tregje të reja për kompanitë vendase. Kompanitë tona do të lidhen më lehtë dhe më shpejt me rajonin dhe më gjerë, gjë që hap shumë mundësi të reja për prosperitet dhe zhvillim ekonomik. Rrugët alternative të ofruara nga ky investim do të nënkuptojnë përfundimisht transport më të lirë për kompanitë, duke ulur barrën mbi ekonominë që sjell kriza ekonomike dhe energjitike në të cilën ndodhemi.

Investimi padyshim do të thotë edhe përmirësim i parametrave makroekonomike të shtetit, të rëndësishme ne kohë të krizës globale ekonomike.

Me rehabilitimin e Korridorit 8 pas gati 30 vitesh, hekurudha që lidh Republikën e Maqedonisë së Veriut me Republikën e Bullgarisë po bëhet realitet. Ky projekt do të jetë i një rëndësie më të gjerë për ekonominë, për biznesin, por edhe një kontribut në agjendën evropiane për një lidhje funksionale hekurudhore të të gjithë rajonit.

Anëtarësimi në Bashkimin Evropian, përveç që është proces politik, është edhe proces i lidhjes infrastrukturore dhe ekonomike. Ky proces ecën paralelisht dhe është po aq i rëndësishëm sepse sjell përfitime të prekshme që lidhen me përmirësimin e klimës së biznesit dhe përmirësimin e cilësisë së jetës së qytetarëve.

Para nesh është një tjetër dëshmi se politikat e miqësisë, fqinjësisë së mirë dhe bashkëpunimit nënkuptojnë zhvillim si individualisht për të dy vendet, por edhe për rajonin. Kur ka vullnet, ato politika përkthehen lehtësisht dhe praktikisht në qëllime konkrete, realiste dhe të arritshme në interes të qytetarëve. Ky është fokusi dhe përkushtimi ynë që të lidhemi me vendet e rajonit në një mënyrë që do të mundësojë prosperitet për të gjithë dhe me të cilin qytetarët do të fuqizohen ekonomikisht. Zhvillimi dhe bashkëpunimi rajonal, si dhe deri më tani, mbetet prioriteti ynë.

Në të njëjtën kohë, ndikimi që do të ketë investimi në zhvillimin dhe reformat në sektorin hekurudhor është i padiskutueshëm. Reformat janë një proces i gjatë, por ato përfaqësojnë një parakusht të domosdoshëm për transportin hekurudhor që ne të gjithë e duam: të zhvilluara, të sigurta, të shpejta dhe miqësore me mjedisin si dhe në vendet e Bashkimit Evropian. Përfitimet e transportit të zhvilluar hekurudhor janë të shumëfishta dhe prandaj të gjithë duhet të vazhdojmë të punojmë në modernizimin e hekurudhave përmes projekteve të përbashkëta me partnerët tanë të BE-së, në mënyrë që të kemi një rrjet hekurudhor efikas dhe modern në rajon.

Për fund, jam shumë i kënaqur që ky projekt vjen menjëherë pas ditës së djeshme historike për Republikën e Maqedonisë së Veriut. Ky, siç thashë, është një zbatim praktik i politikave të fqinjësisë së mirë dhe është një udhërrëfyes i mirë në të cilin duhet të lëvizin gjërat si politikisht ashtu edhe ekonomikisht.
Dje, para 27 vendeve anëtare, theksova se Maqedonia e Veriut është natyrshëm e lidhur me Bashkimin Evropian. BE-ja është partneri ynë kryesor tregtar. Ekonomia jonë është strukturore e lidhur pazgjidhshmërisht me atë të BE-së, jo vetëm në aspektin tregtar, por edhe në raport me marrëdhëniet e përgjithshme mes subjekteve afariste.

Ky investim sot do të kontribuojë në thellimin dhe zhvillimin e këtij partneriteti. Qytetarët e Maqedonisë së Veriut meritojnë dhe presin zhvillim të përshpejtuar që do të sigurojë një standard më të lartë.

Vendimet e guximshme, të vështira dhe patriotike që kemi marrë po përkthehen në projekte konkrete që do të sigurojnë zhvillimin e përgjithshëm. E rëndësishme është që ne kemi një vizion të qartë për të ardhmen, ne po e çojmë vendin përpara. Maqedonia e Veriut do të zhvillohet ekonomikisht, politikisht dhe në mënyrë sociale dhe sot edhe gjeneratat e ardhshme po ndërtojmë një shoqëri demokratike evropiane në të cilën qytetarët do të avancohen ekonomikisht me cilësi të përmirësuar të jetës”, tha Kryeministri Kovaçevski.