Kryeministri Dimitar Kovaçevski sot realizoi takim me kryeministrin grek Kyriakos Micotakis, përcjell TV21. Kryeministri njoftoi se temë kryesore ishte kriza energjetike, ku është dakorduar diversifikim i burimeve të furnizimit me qëllim që të arrihet pavarësi afatgjate në energjetikë
“Me kryeministrin Micotakis konfirmuam rëndësinë e bashkëpunimit rajonal për përballimin e pasojave të krizës energjetike. Ne konstatuam se rritja aktuale e çmimeve të energjisë po shkakton shqetësime serioze në tregjet evropiane. Në këtë drejtim, me projekte të përbashkëta strategjike dhe diversifikimin e burimeve të furnizimit, ne sigurojmë pavarësi afatgjatë energjetike”, pohoi Kovaçevski pas takimit me kryeministrin grek.
Nga Qeveria thonë se nga takimi janë dakorduar disa marrëveshje.
“Në takim u theksua se në vitet e fundit, një nga kompanitë më të mëdha greke, “Mitilinoes”, e cila është me rëndësi të madhe për ekonominë greke, shpreh interesim për ndërtimin e termocentralit me gaz kogjenerues në Shkup, i cili do të prodhojë edhe energji elektrike edhe energji termike, si dhe për një nga projektet strategjike të Maqedonisë së Veriut në sektorin energjetik, ndërtimi i hidrocentralit të akumulimit me pompë “Çebren”, në Cërna Reka (Lumi i Zi), për të cilin është marrë ofertë nga kompania greke e energjisë PPC, si dhe disa kompani të tjera evropiane”, thonë nga Qeveria.