Koncesioni për minierat në rajonin e Strumicës është bërë edhe sot temë për akuza të ndërsjella mes pushtetit dhe opozitës. Kryeministri Dimitar Kovaçevski tha se në rajonin e Strumicës nuk do të hapet minierë nëse banorët e asaj zone janë kundër. Megjithatë, ai tha se ka vendime gjyqësore që janë në favor të kompanisë që ka marr koncesionin që, siç theksoi, është dhënë në kohën kur kryeministër ishte Nikolla Gruevski. Ky i fundit në atë periudhë për të cilën flet Kovaçevski, 2012-2013, bashkëqeveriste me partnerët aktual qeveritarë të LSDM-së, Bashkimin Demokratik për Integrim. Kovaçevski foli edhe për ministrin e Ekonomisë, për të cilin disa ministra të garniturës aktuale qeverisë thanë se ishin manipuluar nga ministri Kreshnik Bekteshi sa u përket vendimeve gjyqësore për koncesionin në fjalë.
“Lidhja Socialdemokrate nuk është pro hapjes së minierave në rajonin e Strumicës. Ministria e Ekonomisë në përputhje me ato vendime që janë sjellë në gjykata do të duhet të vijnë në seancën e radhës të Qeverisë dhe t’i prezantojnë të gjitha vendimet. Ajo që është e rëndësishme për ne është që cilido vendim në lidhje me hapjen e minierave të jetë në përputhje me pritshmëritë e qytetarëve. Kur e shoh sot Hristjan Mickoskin të fllasë kundër hapjes së minierave, pyeteni kush ishte shef I shtabit në njësinë zgjedhore 4 ku i kanë ndarë koncesionet dhe kush i ka shkruar ato miniera në programin e VMRO-DPMNE-së?”, deklaroi Dimitar Kovaçevski- kryeministër i Maqedonisë së Veriut.
Lidhur me dyshimet që kanë ngjallur deklaratat e disa ministrave rreth informacioneve që Kreshnik Bekteshi ka dhënë në Qeveri rreth vendimeve gjyqësore për minierat e për të cilat dyshojnë se nuk janë në të njëjtën vijë me të vërtetën, ka reaguar përmes një statusi në rrjetet sociale deputeti i VMRO-DPMNE-së, Antonio Milloshoski.
“Sa vendime qeveritare janë marrë deri më tani nga ministra të mashtruar dhe të bazuar në të dhëna të pasakta (Bechtel & Enka, ndalimi i ndërtimit të klinikës në Shtip, taksa e solidaritetit, bazat e asfaltit, koncesionet për mermer etj.)? -A nuk funksionojnë në qeveri komisionet dhe sekretariati i përgjithshëm që kontrollojnë materialet dhe përgatisin vendimet para seancës? Ministrat që deklaruan se votuan për një vendim të mashtruar, apo Prokurori Publik sipas detyrës zyrtare, do të kërkojnë përgjegjësi penale për ministrin Bekteshi, sipas nenit 247 të KP? Kryeministri Kovaçevski ka qenë në seancë, si ka votuar dhe a ndihet edhe ai i mashtruar nga ministri Bekteshi, si Spasovski, Petrovska dhe Shukova?”, tha Antonio Milloshkovski- VMRO-DPMNE.