Kovaçevski në Aleksandropoli: Me projekte strategjike investojmë në pavarësinë energjetike

Kryetari i Qeverisë së Republikës së Maqedonisë së Veriut, Dimitar Kovaçvski mbajti fjalim në ceremoninë solemne të fillimit të realizimit të ndërtimit të terminalit të gazit të lëngshëm natyror (LNG) në Aleksandropoli të Greqisë.

Marketing

Kryeministri Kovaçevski bashkë me Kryeministrin e Republikës së Greqisë Kiriakos Micotakis, Kryetarin e Qeverisë së Republikës së Bullgarisë Kiril Petkov, Presidentin e Republikës së Serbisë, Aleksandar Vućiq, si dhe Presidentin e Këshillit Evropian Sharl Mishel në fjalimet e tyre e theksuan rëndësinë e këtij mega projekti energjetik.

Në ceremoninë solemne morën pjesë zëvendëskryeministri për Çështje Ekonomike dhe Koordinim të Dikastereve Ekonomike dhe investimet, Fatmir Bytyqi, ministri i Ekonomisë Kreshnik Bekteshi, si dhe drejtori i EEM-së, Vasko Kovaçevski.

Në vazhdim e përcjellim fjalimin e Kryeministrit Kovaçevski në tërësi:

“Të nderuar,

Në emrin tim, në emër të Qeverisë dhe në emër të të gjithë qytetarëve të Republikës së Maqedonisë së Veriut, ju dërgoj urime për fillimin e punëve në Terminalin e gazit të lëngshëm në Aleksandropoli.
Kjo është një ngjarje historike për vendet e rajonit në sferën e energjisë. Ky është një projekt për pavarësi energjetike afatgjate dhe për furnizim të qëndrueshëm dhe të përhershëm me gaz të lëngshëm natyror në një kohë krize.

Bashkë me centralin e gazit për prodhimin e energjisë elektrike, si fazë e dytë e këtij projekti të madh, sigurohet kapacitet elektro-energjetik me teknologji më bashkëkohore për prodhimin e dhe furnizimin me energji elektrike.

Kjo nënkupton sigurimin e kapaciteteve në sistemin elektro-energjetik në rajon për furnizim të qëndrueshëm me energji elektrike.

Maqedonia e Veriut në këtë projekt merr pjesë me marrëveshje për rezervim për kapacitet të caktuar të gazit të lëngshëm të Terminalit në Aleksandropoli.

Në rrjedhë janë përgatitjet që do të mundësojnë edhe përfshirjen tonë të drejtpërdrejtë në ndërtimin e gazsjellësit, me të cilin vendi ynë do të lidhet me këtë kapacitet të rëndësishëm energjetik.
Me ndërlidhësin në Greqi, i cili është në fazën e realizimit, po e përfundojmë të gjithë infrastrukturën e nevojshme që të përfundojë rrjeti sekondar i gazit i cili do të sjellë gazin për qytetarët dhe ekonominë në Maqedoninë e Veriut.

Sigurimi i gazit natyror si burim i energjisë për kompanitë dhe amvisëritë do të sjellë në uljen e shpenzimeve, por edhe në uljen e ndotjes dhe mbrojtjes së mjedisit jetësor, gjegjësisht kushte më të mira për jetesë të qytetarëve në Maqedonisë së Veriut.

Përdorimi i burimeve të reja të energjisë dhe zëvendësimi i qymyrit me gaz është një nga interesat tona më të rëndësishme strategjike.

Terminali i gazit në Aleksandropoli ka një rëndësi të madhe për rajonin edhe në aspektin e diversifikimit dhe sigurisë më të madhe të furnizimit me gaz natyror me hapjen e këtij korridori shtesë të gazit.

Korridori jugor po zvogëlon varësinë e tij nga kanali i vetëm i deritanishëm i furnizimit me gaz nga Rusia.

Konkretisht, me këtë projekt, në vend që të kemi vetëm një burim gazi në vendin tonë, tani është mundësia për të hyrë dhe furnizuar nga shumë burime të ndryshme, si gazi nga SHBA-të, nga Lindja e Mesme dhe vende të tjera. Kjo do të thotë furnizim i sigurt me gaz natyror nga furnizues të ndryshëm dhe diversifikim i burimeve që do ta bëjnë vendin tonë të pavarur në aspektin energjetik.

E gjithë kjo do të ndikojë në uljen e çmimit të gazit si burim energjetik për objektet industriale dhe energjetike në vendin tonë.

Terminali i gazit të lëngshëm natyror ka një rëndësi të madhe për zhvillimin e sektorit energjetik në rajon nëpërmjet lidhjes energjetike të vendeve të Evropës Qendrore dhe Juglindore.

Është një hap më tej drejt lidhjes së sistemeve energjetike dhe integrimit të mëtejshëm të tregut të energjisë në të gjithë rajonin.

Realizimi i këtij projekti hap potencial për investime në ndërtimin e objekteve të tjera energjetike dhe për të përmirësuar konkurrencën e përgjithshme të rajonit.

Vetë projekti është cilësuar si një projekt me interes të veçantë për Bashkimin Evropian për gaz natyror.

Pjesëmarrja e Maqedonisë së Veriut në këtë megaprojekt na jep privilegjin të bëhemi partnerë në realizimin e interesave strategjike energjetike të Bashkimit Evropian.

Dua të dërgoj një mesazh për të gjithë qytetarët e Maqedonisë së Veriut, por edhe për qytetarët e rajonit se këto janë kohëra krize, ne si kryeministra dhe Presidenti i Serbisë, që të gjithë jemi këtu dërgojmë një mesazh që në kohëra të vështira miqtë dhe fqinjët duhet të jenë në ndihmë të njëri-tjetrit dhe me atë rast shprehem i kënaqur nga kontaktet shumë të shpeshta që kemi pasur në baza ditore me Presidentin Vuqiç, Kryeministrin Micotakis për sigurimin e energjencave të nevojshme gjatë dimrit, por edhe për sa i përket furnizimit, transportit dhe tregtisë së pandërprerë të ushqimit ndërmjet tre vendeve tona.