Kriza energjetike me të cilën përballet RMV, Evropa dhe bota është kërcënim serioz për procesin arsimor, tha kryeministri Dimitar Kovaçevski, në kuadër të Samitit për Transformimin e Arsimit, që mbahet në kuadër të Kuvendit të 77 gjeneral të KB-ve. Sipas tij, që të arrihen qëllimet afatgjate, fillimisht duhet të kemi mjaftueshëm resurse që të sigurohen kushtet elementare për jetesë, siç janë klasa të ngrohta dhe të ndriçuara me qëllim që nxënësit të kenë arsimim cilësor këtë dimër.
“Përgjigjja ndaj këtyre sfidave mund të gjendet vetëm përmes bashkëpunimit ndërajonal dhe ndërkombëtar dhe më së shumti përmes solidaritetit. Nëse duam nxënësit tanë të rriten me arsim cilësor, duhet t’u tregojmë se si ne të rriturit mundemi së bashku t’i zgjidhim problemet, në të kundërtën asnjë model arsimor nuk do të mundet të bëjë dallimin.”,- deklaroi kryeministri, Dimitar Kovaçevski.
Programe të reja arsimore për klasat e para dhe të katërta, asistent arsimor për nxënësit me nevoja të veçanta, libra në formatin audio dhe elektronik janë vetëm pjesë e reformave që i potencoi Kovaçevski. Përskaj kësaj po sigurohen edhe shujta për studentët, si dhe bursa për më të mirët. Digjitalizimi është një ndër sfidat kryesore të vendit.
“Do të dëshiroja të ju bind se RMV përkrah angazhimet për krijimin e një sistemi arsimor të qëndrueshëm, të bazuar në standarde për arritjen e cilësisë së lartë për të gjithë. Besoj se me zbatimin e strategjisë nacionale për zhvillim 2022-20224 ne po e shpijmë sistemin tonë arsimor në rrugën e vërtetë drejt suksesit.”,- tha kryeministri, Dimitar Kovaçevski.
Kryeministri Kovaçevski e potencoi me rëndësi të veçantë projektin gjeofilizofia e Ballkanit për studimet postdiplomike. Në të marrin pjesë universitete nga vendet ballkanike por edhe nga Italia dhe Greqia.