Ka përfunduar takimi i sotëm i liderëve të partive politike në RMV, në të cilin është diskutuar për ndryshimet kushtetuese, si dhe masat për përballje me krizën energjetike dhe ekonomike.
Pas përfundimit të takimit, kryeministri Kovaçevski theksoi se i ka njoftuar kryetarët e partive politike me gjendjen e krizës dhe i ka ftuar që të jenë të bashkuar, pasi theksoi se “nga ndarjet nuk përfiton askush”.
“I kam njoftuar kryetarët e partive për gjendjen me krizën energjetike dhe masat për t’u përballur me të njëjtën. Kemi biseduar edhe për sundimin e të drejtës dhe luftën kundër krimit dhe korrupsionit, që ishte pikë e dobët nga raporti i Komisionit Evropian. Diskutimi ishte i hapur dhe mendoj se duhet të vazhdojë ashtu. Kemi investuar shumë për të arritur deri në këtë fazë për negociatat me BE-në, por e dijmë cilat janë qëllimet tona – BE dhe NATO.
“Nëse i votojmë ndryshimet kushtetuese do të vazhdojmë rrugën për në BE, do të hapen kapitujt dhe nuk do të ketë bllokada. E kemi mundësinë tani dhe tani dera është e hapur. Nuk është koha për ndarje, askush nuk përfiton nga këto. Është formuar komision kuvendar për negociatat me BE-në. Duhet të tregojmë pjekuri si shtet. Është koha për të filluar tregimin e ri, në të cilin Maqedonia e Veriut do të jetë pjesë e BE-së”, tha Kovaçevski.
Ai theksoi se takimi i përbashkët vjen pas takimeve të veçanta që i ka pasur me kryetarët e partive politike, ndërsa atë të sotmin e vlerësoi si pozitiv.
“I kam informuar për të gjitha ligjet që janë miratuar dhe duhet të miratohen në fushën e luftës me krimin e organizuar dhe korrupsionin. Unë do të mbetem i hapur për takime tjera me kryetarët e partive politike”, theksoi Kovaçevski./