Kovaçevski paralajmëron veting në gjyqësor,pas kritikave të DASH

Kritikat e Departamentit amerikan të Shtetit (DASH) në raportin vjetor për të Drejta të Njeriut duhet të shërbejnë për angazhim më të madh të institucioneve në përmirësimin e gjendjes në fushat përkatëse, në veçanti në gjyqësor, si dhe luftën kundër korrupsionit e krimit të organizuar, ka deklaruar të martën kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Dimitar Kovaçevski.

Marketing

Në raportin e DASH-it, në pjesën për Maqedoninë e Veriut, përmendet korrupsioni i rëndë qeveritar, mungesa e përgjegjësisë për dhunë me bazë gjinore dhe atë në familje, trajtim çnjerëzor dhe degradues në burgje, kërcënime me dhunë ndaj gazetarëve dhe kërcënime e dhunë drejtuar anëtarëve të komunitetit LGBT (homoseksual, lesbike, biseksual dhe transgjinor).

“Raportet e tilla duhet të përdoren në drejtim të përmirësimit të situatës në shoqëri, sidomos në ato që ne i analizojmë. Besimi në gjyqësor është diçka për të cilin duhet të punojë e tërë shoqëria, dhe para së gjithash organet e drejtësisë. Ne synojmë realizimin e më shumë projekteve, ku unë do ta theksoja procesin e vetingut, që duhet të përfshijë të gjithë funksionarët e emëruar dhe të zgjedhur. Ky proces duhet bërë në bashkëpunim me SHBA-të dhe BE-në”, ka deklaruar Kovaçevski.

Në raportin e Departamentit amerikan të Shtetit ndër të tjera është thënë se megjithëse Maqedonia e Veriut ka një ligj që parashikon dënime penale për korrupsion nga zyrtarët, ende ka raportime për zyrtarë të përfshirë në korrupsion.

“Sondazhet e opinionit publik kanë përmendur vazhdimisht korrupsionin si një nga shqetësimet kryesore të qytetarëve…Kushtetuta parashikon gjykata autonome dhe të pavarura, por Qeveria jo gjithmonë ka respektuar pavarësinë dhe paanshmërinë e gjyqësorit. Rastet e sjelljes së pahijshme gjyqësore, presioni i panevojshëm politik, ryshfetet për gjyqtarët, drejtësia e stërzgjatur, si dhe stafi i pamjaftueshëm i gjyqësorit, vazhdojnë të pengojnë efektivitetin e gjykatës dhe të ndikojnë në besimin e publikut në sundimin e ligjit”. Në raport, ndër të tjera, flitet edhe për kushtet e këqija në burgje, kushtet çnjerëzore në repartet e mbipopulluara të burgjeve, dhe personelin e korruptuar në burgje, si dhe se policia ka abuzuar me të paraburgosurit dhe të burgosurit dhe ka përdorur forcë të tepruar ndaj tyre.

“Në lidhje me situatën nëpër burgje, Drejtoria për Ekzekutimin e Sanksioneve, me mbështetjen e Qeverisë, por edhe të partnerëve ndërkombëtarë, mendoj BE-në, SHBA-në dhe financuesit tjerë, punojnë që të eliminohen të gjitha vërejtjet e theksuara. Bëhen përpjekje për përmirësimin e kushteve në të gjitha burgjet e vendit”, ka deklaruar kryeministri maqedonas.

Sa i përket punës së mediave, raporti i DASH-it apostrofon dhunën dhe kërcënimet ndaj punonjësve të mediave, por edhe raportimet e ndara.

“Mediat vazhdojnë të jenë të ndara sipas linjave politike, por numri i mediave të pavarura që shprehin në mënyrë aktive pikëpamje të ndryshme pa kufizime të dukshme, vazhdojnë të rritet”, përmend raporti.

Kryeministri Kovaçevski ka thënë se raporti është hartuar para se të miratohen ndryshimet në Kodin Penal që mbrojnë gazetarët nga dhuna dhe kërcënimet, pasi sulmi ndaj gazetarëve cilësohet si sulm ndaj zyrtarëve.

Marketing