Kovaçevski: S’ka takim liderësh nën kërcënime!

Kryeministri Dimitar Kovaçevski edhe sot komentoi deklaratat e kreut të VMRO-DPMNE-së, Hristijan Mickoski për takim liderësh. Kovaçevski thotë se takimi në fjalë nuk do të organizohet nën kërcënime dhe shantazhe, ndërkaq thekson se në të njëjtin duhet të bisedohet për gjëra që prekin qytetarët, e jo për zgjedhje.

Marketing

“Mund të ketë takim liderësh, por për çështje që janë strategjike, për çështje që nënkuptojnë jetë më të mirë për qytetarët dhe që kanë të bëjnë për përballimin e krizës energjetike. Mirëpo, takim liderësh, i bazuar në shantazhe dhe kërcënime, ndërsa e shoh kryetarin e VMRO DPMNE-së duke numëruar mbrapsht si në ndonjë film të ligë aksion, nuk do të ketë takim të tillë liderësh, ky është qëndrim i të gjitha partive politike, përfshi këtu edhe partitë në blloku opozitar”, tha kryeministri Dimitar Kovaçevski.

Ndryshe, Mickoski ka dhënë afat deri më 10 maj për organizim të takimit të liderëve në të cilin do të flitej për zgjedhjet e parakohshme parlamentare, në të kundërtën kreu i VMRO-së ka paralajmëruar bllokadë të Kuvendit.