Kovaçevski: VMRO-DPMNE me moral të dyfishtë

Qeveria dhe Kuvendi janë funksional, shumica parlamentare është rritur, ndërsa zgjedhje të parakohshme nuk do të ketë, thotë kryeministri Dimitar Kovaçevski. Por, a do të mund të sigurohet shumicë parlamentare për ndryshimet kushtetuese, të domosdoshme për vazhdimin e negociatave për anëtarësim në BE, Kovaçevski thotë se është detyrim i çdo deputeti të veprojë në drejtim të përcaktimit të vendit për anëtarësim në Union.

Marketing

Akuzoi opozitën e kryesuar nga VMRO-DPMNE për moral të dyfishtë. Sipas tij, opozita fshihet pas popullit, ndërsa në ambasada premton miratimin e ndryshimeve kushtetuese nëse kthehen në pushtet.

“Ata shkojnë nëpër ambasada dhe thonë: “na jepni pushtet, pastaj në jepni pak kohë të ambientohemi dhe më pas do të ndryshojmë kushtetutën. Tani pyetja është se kë po gënjejnë?! A po i gënjejnë qytetarët se nuk do të votojnë për ndryshimet kushtetuese apo gënjejnë ambasadat e huaja se do të përkrahin ndryshimet kushtetuese?! Le të dalin ta thonë këtë. Lidership është të marrësh vendime për të ardhmen e gjeneratës së tashme dhe të ardhshme dhe jo të fshiheni pas popullit. E vetmja që po bën VMRO-DPMNE është se ajo po fshihet pas popullit. Tjetër gjë flet në ambasada dhe tjetër gjë para popullit.”, – deklaroi kryeministri, Dimitar Kovaçevski.