Kovid 19/ Nesër arrijnë vaksinat nga Serbia, javën tjetër nga Kina

Në pritje të arritjes së vaksinave anti Kovid në vend, po bëhen edhe përgatitjet për realizimin e vaksinimit, përfshi vënien në funksion të ueb faqes ku qytetarët do të mund të aplikojnë për t’u vaksinuar. Në ditën e parë të vënies në funksion të kësaj ueb faqe kishte vështirësi, por nga sistemi “Termini im” dhe Ministria e Shëndetësisë kanë bërë të ditur se po merren masat që ajo të jetë plotësisht funksionale. Ndërkohë, bëhet e ditur se të enjten do të arrijë dërgesa e parë prej 8 mijë vaksinave anti Covid nga Serbia, prodhim i kompanisë “Fajzer”. Pranim-dorëzimi do të bëhet në vendkalimin kufitar Tabanoc, ku kryeministri, Zoran Zaev, do ta mirëpresë delegacionin e udhëhequr nga presidenti Serb, Aleksandar Vuçiq. Po ashtu javën e ardhshme pritet të arrijnë edhe 200 mijë vaksinat kineze të kompanisë “Sinofarm”, bën të ditur kryeministri, Zoran Zaev.

Marketing
“Presim vaksinat kineze të arrijnë më 15 dhe 16, sot pres të ndodh pagesa nga ana e vendit që të mund të planifikohet paketimi, sigurimi i transportit, pasi nga Kina duhet të arrijnë me aeroplan të gjitha këto 200 mijë vaksina që i kemi porositur.”,- u shpreh kryeministri, Zoran Zaev.
Zaev njëherit theksoi se vendi është në pritje edhe të vaksinave nga kompania “Fajzer”, pasi marrëveshja hyn në fuqi në pjesën e dytë të shkurtit, kur pritet të arrijnë 5850 vaksinat e para. Kryeministri njëherit apeloi te qytetarët që të vaksinohen.
“Apeloj, duke filluar nga unë, të vaksinohemi, që të mundemi sa më shpejtë ta fitojmë imunitetin në vend, sepse kjo ndikon jo vetëm në aspektin shëndetësor, por edhe në aspektin ekonomik dhe jetën normale.,- tha kryeministri, Zoran Zaev.
Ndërkohë, Instituti i Shëndetit Publik ka bërë të ditur se prej një deri më 7 shkurt është rritur numri i të vdekurve nga virusi Korona. Janë regjistruar 66 raste të vdekjes në 21 qytete, me rritje prej 3,1% në krahasim me një javë më parë. 58 persona kanë qenë mbi 60 vjeç, të moshës prej 50 deri 59 vjeç dhe nga një person të grupmoshës prej 40-49 vjeç, 30-39 vjeç dhe 20-29 vjeç. Po ashtu bëhet e ditur se janë regjistruar edhe 56 të infektuar me llojin e virusit britanik. Sipas Institutit të Shëndetit Publik kjo është dëshmi e hyrjes në kontinuitet të personave të infektuar nga jashtë vendit. Javën e fundit janë regjistruar edhe 2120 të infektuar, që paraqet rritjen për katër për qind të personave të infektuar.