Kovid-19 po merr hov, numër rekord i rasteve të reja dhe personave të shëruar në shtet

Numër më të lartë të rasteve të reja me koronavirus ka regjistruar dje Instituti për Shëndet Publik. Me 205 rastet e sapoevidentuara nga të cilat sërish më së shumti ka në Shkup, numri i tërësishëm i rasteve të reja nga fillimi i pandemisë, deri tani në shtet arriti 7.777.

Marketing

Sipas të dhënave, janë regjistruar edhe numër rekord prej 336 personave të shëruar, numri i tërësishëm i të cilëve arrin 3.960, ndërsa gjithsej kanë vdekur 368 pacientë.

Mes të shëruarve është edhe një pacient 20 vjeçar te i cili koronavirusi ka shkaktuar ndezje në tru. Ky është rasti i gjashtë i njohur në botë ku Kovid-19 ka zhvilluar pasqyrë të tillë klinike, thonë mjekët nga Spitali i përgjithshëm i qytetit “8 Shtatori” të cilët ia kanë shpëtuar jetën pacientit të ri.

“Ky është rast i rrallë në botë dhe lajm i bukur mes punonjësve shëndetësor në institucion të cilët me muaj çdo ditë udhëheqin beteja me Kovid-19. Ata shpresojnë se dita e re do të sjellë më pak raste të reja. Virusi është i paparashikueshëm. Keni kujdes, respektoni masat dhe mbrohuni. Sot, për herë të parë janë regjistruar 336 pacientë të shëruar, që është numër rekord”, publikoi në profilin e tij në Fejsbuk ministri i Shëndetësisë Venko Filipçe.

Ai potencoi se gëzohet për çdo pacient të shëruar.

“Së bashku do ta fitojmë betejën me Kovid-19! T’i respektojmë masat e mbrojtjes. Vetëm me mbajtje të maskës mbrojtëse, mbajtjes së distancës dhe larjes së shpeshtë të duarve do ta parandalojmë përhapjen e virusit. E di se do të arrijmë dhe do të fitojmë”, shkruajti Filipçe.

Numri i rasteve aktive në shtet arrin 3.449, prej të cilave numri më i madh prej 1.871 janë në Shkup, ndërsa pastaj vijojnë Tetova me 324 raste, Kumanova me 164 raste, Shtipi me 161 raste, Struga me 147 raste…

Në Klinikën infektive gjithsej janë hospitalizuar 92 pacientë. Në aparate me oksigjen janë 59 pacientë, nuk ka pacientë në aparat respiratorë. Në SPQ “8 Shtatori” gjithsej janë hospitalizuar 96 pacientë. Në aparat respirator janë katër pacientë. Në spitalin në Kozle janë hospitalizuar 19 pacientë të moshuar pozitivë në Kovid-19, dy fëmijë pozitivë dhe një suspektivë ndaj virusit.

Në spitalin në Manastir janë hospitalizuar 41, ndërsa në spitalin në Shtip janë hospitalizuar 46 pacientë. Në repartet infektive në Tetovë, Ohër, Veles, Kumanovë, Prilep, Gostivar dhe Strumicë janë hospitalizuar 112 pacientë – pozitivë dhe të dyshimtë në Kovid-19.