Edhe pse me agresivitet më të ulët, koronavirusi vijon të përhapet me shpejtësi në shumë shtete të botës. Një ndër këto shtete është dhe India.
Në 24 orët e fundit raportohet se në Indi janë regjistruar 15.413 raste të reja me koronavirus, rritja më e madhe ditore që nga fillimi i epidemisë në këtë vend.
Rritja rekord ditore e çon numrin e përgjithshëm e personave të infektuar në Indi në mbi 410 mijë, duke u renditur në këtë mënyrë në vendin e katërt në botë pas Rusisë, Brazilit dhe SHBA.
Numri i viktimave arriti në 13, 253, ku vetëm ditën e fundit u shtuan dhe 306 vdekje të tjera. Megjithatë autoritetet besojnë se numri i viktimave dhe të prekurve mund të jetë më i madh dhe kjo për pasojë të mungesës së testeve.
Shumica e rasteve janë përqendruar në kryeqytetin Delhi dhe shtetet e Maharashtra dhe Tamil Nadu, që përbëjnë gati 60% të të gjithë të infektuarve.