Studimet e kryera përpara se të shfaqej virusi i ri, sugjerojnë se rregulli prej dy metrash nuk është mbrojtje e sigurt kundër kollës, në rastet kur nuk përdoret maska. Studimi i veçantë i bërë në SHBA, tregon se stërkalat mund të transportohen në largësi të konsiderueshme.
Distanca e rekomanduar për shmangien e infektimit me Covid-19, mund të mos jetë e mjaftueshme për t’u mbrojtur nga dikush që kollitet në drejtimin tuaj. Një studim kanadez zbuloi se kolla e papenguar mund të udhëtojë, dy metra në më pak se tre sekonda dhe mund të vazhdojë përtej distancës që njerëzve u është kërkuar të respektojnë dhe zbatojnë gjatë pandemive.
Studimi, i udhëhequr nga Universiteti Perëndimor i Kanadasë dhe i pranuar për botim nga revista Indoor Air, u krye në sezonin e gripit rreth viteve 2017-2018, por gjetjet konsiderohen të vlefshme dhe në situatën aktuale të koronavirusit.
Eric Savory, profesor në departamentin e Inxhinierisë Mekanike të Universitetit Perëndimor u shpreh se: “Edhe kur jeni 2.5 metra larg, fluksi i stërkalave nga kollitja mund të lëvizë akoma me 200 mm/në sekondë.
Stërkalat e imëta do të mbeten në ajër, edhe pas katër sekondash. Një studim i veçantë amerikan mbi Covid-19, ka mbështetur përdorimin e maskave të fytyrës, me argumentimin se mbulimi i gojës, frenon përhapjen e stërkalave gjatë fjalimit.
Studimi i botuar nga ‘New England Journal of Medicine’ zbuloi dallime të konsiderueshme midis numrit të stërkalave të prodhuara dhe largësisë së tyre të udhëtimit, kur një person fliste me gojën e tij të mbuluar dhe të zbuluar.Në eksperiment, pothuajse asnjë stërkalë nuk u dallua, kur pjesëmarrësi tha “qëndrojmë të shëndetshëm”, teksa goja e tij ishte e mbuluar. Kur nuk u përdor maska, u krijuan rreth 350 stërkala. Studiuesit amerikanë thanë se, stërkalat e mëdha bien shpejt në tokë, kurse ato më të vogla mund të dehidratohen dhe shpërndahen në ajër, duke zgjeruar shtrirjen hapësinore të grimcave infektive./ Opinion.