Koxias: Shpresoj se do të jetë gjithçka në rregull me Marrëveshjen e Prespës

Shpresoj se do të jetë gjithçka në rregull me Marrëveshjen e Prespës, sepse në të kundërtën ata të cilët besojnë në zgjidhje të lehta do të shohin se sa më të vështira mund të bëhen gjërat, tha mbrëmë vonë ish-ministri grek i Punëve të Jashtme, Nikos Koxias, pas përfundimit të takimit të sekretariatit politik të lëvizjes së tij të ideve dhe aktiviteteve Prato.

Marketing

“Arritëm marrëveshje me ish-Republikën jugosllave të Maqedonisë dhe unë u bëra ish-ministër”, tha me shaka Koxias, mu para fillimit të takimit, duke e komentuar dorëheqjen e tij.

Megjithatë, pas përfundimit, ai para mediumeve sqaroi se personalisht konsideron se dorëheqja është masë e ndershme dhe theksoi se ofendimet ndaj tij personalisht dhe “ndaj përgjegjësisë së një politikani që të japë dorëheqje kur ka mendime të ndryshme” ngritin çështje.

Koxias tha se sipas tij, prapa ofendimeve dhe ofenduesve “ekzistojnë interesa, por ekziston edhe joetikë”.

“Kërkoni nga kryeministri i vendit ta publikojë dorëheqjen time që përbëhet prej nëntë faqeve dhe nëse kryeministri dëshiron, le të publikohet. Por, të ekzistojë dorëheqje që sqaron se për cilat arsye jap dorëheqje dhe të thonë se është e pakuptueshme… Kjo është e pakuptueshme”, tha Koxias.
Ish-shefi i diplomacisë greke theksoi se politikën e jashtme e udhëheqë kryeministri dhe Ministria e Punëve të Jashtme, ndërkaq “Ministria e Mbrojtjes, në mënyrë mbrojtëse e mbështetë zbatimin e politikës së jashtme”.
“MPJ nuk është numri dy, kjo të jetë e qartë”, porositi Koxias.

Siç lajmëroi korrespondentja e MIA-s nga Athina, ish-ministri grek i Punëve të Jashtme, në mënyrë indirekte, pa i emëruar, drejtoi kritika ndaj zëdhënësit qeveritar, Dimitris Xanakopullos dhe ministrit të Mbrojtjes, Panos Kamenos. Drejt Xanakopullos – lidhur me qëndrimin e paraqitur dje, se dorëheqja e Koxiasit për të është politikisht e pakuptueshme, ndërkaq drejt Kamenosit – lidhur me udhëheqjen e politikës së jashtme, por edhe për fondet e fshehta.

Ish-ministri i Punëve të Jashtme të Greqisë tha se nuk ekziston kurfarë problemi me fondet e fshehta në MPJ-në greke, sepse, siç tha, ai është “ministri i vetëm në tërë historinë e shtetit grek i cili parashtroi ligj, që mjetet e besueshme t’i kontrollojë parlamenti”. Sqaroi se në bashkëpunim me deputetë nga SYRIZA do të punojë në sjelljen e propozim ligjit në parlament që do të vlejë edhe për ministritë e tjera.

“Jemi të vendosur të hetojmë se si u përdorën fondet nga ministritë e tjera, në të cilat nuk ekziston ky proces demokratik dhe parlamentar. Është qesharake, ministria e vetme që ka procedurë demokratike, parlamentare dhe kontroll nga parlamenti grek të akuzohet nga të tjerët”, tha Koxias.
Lidhur me Prato, e cila ka tre deputetë në Parlamentin grek, ish-shefi i diplomacisë greke tha se është pjesë e lëvizjes e cila tani është në pushtet.

Marketing