Komisioni Qëndror i Zgjedhjeve nuk ka certifikuar subjektet politike: Vetëvendosje dhe Nisma Socialdemokrate dhe listat e tyre të kandidatëve për deputetë për zgjedhjet e parakohshme parlamentare të 14 shkurtit.
KQZ nuk ka certifikuar as listën zgjedhore të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës. Zyra për Regjistrimin e Partive Politike dhe Certifikim i rekomandoi KQZ-së që t’i certifikojë të gjithë kandidatët për deputetë, të cilët janë në kuadër të listave zgjedhore të subjekteve politike.
Zyra për Regjistrimin e Partive Politike dhe Certifikim i rekomandoi KQZ-së që t’i certifikojë të gjithë kandidatët për deputetë, të cilët janë në kuadër të listave zgjedhore të subjekteve politike.
Por, kjo u kundërshtua nga shumica e anëtarëve të KQZ-së të cilët vendosën që të votojnë një nga një për subjektet politike, pasi disa prej tyre nuk i kishin zëvëndësuar kandidatët për të cilët Këshilli Gjyqësor i Kosovës (KGJK) kishte thënë se nuk janë në përputhje me nenin 29 të Ligjit për zgjedhjet e përgjithshme.
KGJK kishte thënë se “janë 47 kandidatë nga rreth 1.080, të cilët janë shpallur fajtorë për vepër penale me një vendim përfundimtar të gjykatës në tri vjetët e fundit”.
Sipas rekomandimit të Zyrës për Regjistrimin e Partive Politike për KQZ-në, lëvizja Vetëvendosje nuk kishte zëvëndësuar 5 kandidatë, ndërsa Nisma Socialdemokrate 12 kandidatë.
Partitë mund ta apelojnë këtë vendim të KQZ-së në Këshillin Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa, deri edhe në Gjykatën Supreme.
Ndërkohë janë certifikuar listat e subjekteve politike LDK, PDK, Lista serbe, Lista “Romani Iniciativa”, JGP, PREBK, SDU, Partia Balliste, IRDK, KDTP, PAI, NDS, FJALA e disa parti dhe lista tjera.