Komisioni Qendror i Zgjedhjeve thotë se nuk po vonohet me procedurat deri në certifikimin e rezultateve të zgjedhjeve parlamentare të 9 shkurtit.
Valmir Elezi, zëdhënësi KQZ-së, tha në një konferencë për media se thjesht po e zbatojnë ligjin për zgjedhjet.
“Vlerësojmë se KQZ nuk është duke u vonuar, por po zbaton Ligjin për Zgjedhjet e Përgjithshme dhe aktetet nënligjore. Sigurisht që këto detyrime ligjore nuk mund të tejkalohen nga ana e KQZ-së”, tha ai.
KQZ-ja, ai tha se “është brenda planifikimeve që ka bërë më herët”. Sipas planit, shpallja e rezultateve përfundimtare do të duhej të bëhej më së largu më 5 mars, ndërsa gjithçka do të përfundonte më 18 mars.
“Sipas planit të aktiviteteve të miratuar nga KQZ në gusht të vitit të kaluar, shpallja e rezultateve përfundimtare për subjektet politike është planifikuar të bëhet më së largu më datën 5 mars 2025, ndërkaq certifikimi i tyre, që ndodh pasi të përfundojnë ankesat eventuale dhe vendosja për to në PZAP dhe Gjykatën Supreme, është planifikuar të bëhet deri më datën 18 mars”.
Megjithatë, ai tha se “natyrisht se ne po punojmë që shpallja e rezultateve përfundimtare të bëhet edhe më shpejt”.