Kreu i BNJVL-së Gjeorgjievski:Arsovska të japë dorëheqje të parevokueshme

Assesi t’u jepet fund halleve të shkupjanëve. Edhe pas seancës së fundit të Këshillit të Qytetit të Shkupit nuk ka vendim për furnizim me autobusë të rinj, por kaluan programet e NQP-së dhe të higjienës komunale. Por sërish nga BNjVL-ja nuk presin që problemet të zgjidhen me shkop magjik dhe konsiderojnë se shpëtimi i vetëm që Shkupi të fillojë të funksionojë është që kryetarja Danella Arsovska të japë dorëheqje. Në të kundërtën, kryetarët e komunave thonë se janë të përgatitur të iniciojnë ndryshime ligjore që mundësojnë marrjen e kompetencave të saj.

Marketing

“Për fat të keq shkupjanët janë pengje të një njeriu që ka probleme me vetveten dhe për të cilën gjithkush është fajtor në vend se gishtin ta drejtojë tek vetvetja për gjetjen e problemit. Për Shkupin do të ishte shpëtim nëse Arsovska jep dorëheqje të parevokueshme, e dimë që bëhet fjalë për një personalitet konfliktuoz dhe nuk dëshiron të kontribuojë për zhvillimin e qytetit. Iu ofrua ndihmë nga Qeveria, kryeministri, por nuk pranoi asgjë dhe në fund nuk besoj se do të ndryshojnë gjërat, përkundrazi për fat të keq golgota do të vazhdojë.”, – deklaroi kryetari i BNjVL-së, Orce Gjeorgjievski.

Edhe ministri i Vetëqeverisjes Lokale, Zllatko Perinski, është i përgatitur të pranojë ndryshimet vetëm e vetëm që të zgjidhet gjendja e krijuar.

“Unë do të përkrah çfarëdo ndryshimesh ligjore vetëm të zgjidhet kjo situatë. Ne kërkojmë zgjidhje, sepse jashtë temperatura është 40 gradë celsius, ndërsa Shkupi po ngulfatet me mbeturina dhe kjo paraqet mosveprim sipas kompetencave ligjore dhe kërcënon shëndetin dhe sigurinë e qytetarëve dhe për t’u zgjidhur këto problematika nevojitet kohë.”, – theksoi ministri i Vetëqeverisjes Lokale, Zllatko Perinski.

Përderisa institucionet e hedhin fajin te njëra-tjetra se kush është fajtor për kaosin e krijuar në Shkup, qytetarët çdo ditë përballen me mbeturina dhe mungesë të autobusëve. Por, Arsovska fajin e sheh te këshilltarët e VMRO-DPMNE-së, të cilët nuk dhanë dritë jeshile për furnizim me autobusë të ri. Kompetentët thonë se edhe nëse servisohen autobusët e NQP-së nuk do të jenë mjaftueshëm për nevojat e udhëtarëve, sidomos nga shtatori kur fillon viti i ri shkollor.