Kryetari i VMRO-DPMNE-së Hristijan Mickoski bëri thirrje për një takim liderësh për zgjedhje të parakohshme parlamentare. Ai përsëriti se partia nuk do të ndryshojë qëndrimin për ndryshimet kushtetuese dhe nuk do t’i nënshtrohet asaj që ai e përshkroi si një fushatë torture dhe presioni. Sipas tij, tortura organizohet nga Qeveria, e cila gjithashtu kërkoi nga përfaqësuesit e bashkësisë ndërkombëtare që të torturojnë VMRO-DPMNE-në në mënyrë që të pranojnë ndryshimin e Kushtetutës. Mickoski tha se deri më tani partia kishte ofruar zgjidhje, si ajo me kushtetutën sipas modelit kroat dhe ndryshime kushtetuese me efekt të shtyrë, por tani nuk ka asgjë për të biseduar me qeverinë përveç zgjedhjeve të parakohshme.
“Nuk ka asgjë më shumë në tryezë, por ka vetëm një gjë, takim liderësh rreth datës për zgjedhje të parakohshme parlamentare dhe në atë takim liderësh t’i dakordojmë detajet e ndryshimeve legjislative. Jemi të gatshëm për zgjedhje të shpejta parlamentare pa qeveri teknike. Kjo është gjithçka që është në tryezë tani. Kushdo që dëshiron ta diskutojë këtë çështje me ne është i mirëpritur. Gjithçka tjetër, VMRO-DPMNE aktualisht e konsideron si pjesë të kësaj fushate të torturës dhe presionit,” tha Hristijan Mickoski, kryetar i VMRO-DPMNE.
Më parë, zyrtarët qeveritarë theksuan se zgjedhjet nuk janë zgjidhje për procesin e ndryshimeve kushtetuese dhe zhbllokimin e procesit të integrimit të vendit në BE. I pyetur nëse faktori i huaj po i bën presion opozitës për ndryshimet kushtetuese, kryeministri Dimitar Kovaçevski vendosi sot të komentojë deklaratën e fundit të Mickoskit se “Evropa dhe bota po përgatitin strategji për të thyer VMRO-DPMNE-në për ndryshimet kushtetuese.” Sipas Kovaçevskit, deklarata të tilla të kujtojnë kohët e mëparshme, kur, siç shtoi ai, qytetarët kishin frikë se ekzistonte një lloj super-armiku i maqedonasve.
“Në një vend që ka partneritet strategjik me Shtetet e Bashkuara, dhe asnjë vend tjetër në rajon, i cili është një shtet anëtar i NATO-s, duke vendosur tezën se ka një komplot botëror, në asnjë rast nuk shkon në dobi të qytetarëve ose shtetit, përveç në karrierën politike të atij që e thotë këtë. Historia ka konfirmuar se mosmarrja e vendimeve mund vetëm t’ju lërë në dhomën e pritjes, dhe siç thonë ata vetë, ata janë gati të presin,” tha Dimitar Kovaçevski – Kryeministër.
Kovaçevski theksoi se nuk ka alternativë për të vazhduar në rrugën e integrimit evropian. Ai përsëriti se nuk do donte që vendi të hyjë në grupin e Kosovës dhe Bosnje-Hercegovinës, ndërsa Shqipëria, Mali i Zi dhe Serbia do të ishin një hap më afër anëtarësimit. /alsat.mk