102 vota pro raportit të Komisionit të Ligjeve për shkarkimin e presidentit Ilir Meta dhe 101 vota pro për ngritjen e Komisionit Hetimor. Ky ishte rezultati i votimeve sot në sallën e Kuvendit, ku kryeministri Edi Rama bëri thirrje për ngritjen e komisionit që, sipas tij, do të sjellë edhe shkarkimin e Ilir Metës nga posti i Presidentit të Republikës.
Mazhoranca socialiste, me votat e disa deputetëve të ‘opozitës së re’, votoi pro krijimit të komisionit që do të hetojë nëse Meta ka shkelur apo jo Kushtetuën me vendimin për të shfuqizuar 30 qershorin si datë për zgjedhjet lokale.
Partia Socialiste ka shtuar dy vota në favor të saj në përplasjen me Ilir Metën, pasi në votimin e 13 qershorit kur u hodh poshtë dekreti i presidentit për datën e zgjedhjeve, ishin 100 deputetë që votuan për rrëzimin.
Top Channel, duke cituar deputetin Ralf Gjoni, raportoi më herët se Grupi i Pavarur Parlamentar nuk ka gjetur dot dakortësi për një qëndrim të unifikuar mbi ngritjen e komisionit hetimor. Kjo u pa edhe në seancën plenare ku deputetë të hyrë nga lista e LSI-së i dolën në mbrojtje Metës.
Top Channel ka zbardhur edhe projekt-vendimin për ngritjen e komisionit hetimor ku përcaktohet afati kohor prej 3 muajsh hetime ndaj presidentit.
Gjithsesi, shkeljet për të cilat akuzohet presidenti duhen konfirmuar nga Gjykata Kushtetuese, e cila ende nuk është ngritur.