Shefja e diplomacisë evropiane Federica Mogherini është përballur me një ‘mal’ komentesh në llogarinë e saj në Facebook, për shkak të mos liberalizimit të vizave për qytetarët e Kosovës.
Ditëve të fundit, zemërimi i qytetarëve nga Kosova ka shpërthyer në adresë të shefes së diplomacisë evropiane për shkak të mos heqjes së vizave për Kosovën, si vendi i fundit në rajon që ende nuk e gëzon këtë të drejtë.
Kishte 13 mijë reagime nga qytetarët shqiptarë në adresë së Mogherinit, një pjesë e të cilëve e quajtën kryediplomaten evropiane dhe si raciste dhe pro-ruse. Pas gjithë kësaj, Mogherinit duket se i ka humbur durimi dhe më në fund vendosi t’iu drejtohet komentuesve me një status në llogarinë e saj në Facebook.
“Kuptoj shqetësimin tuaj. Duket se jam keqkuptuar lidhur me deklarimet e fundit mbi çështjet e Kosovës lidhur me rritjen e taksave dhe krijimin e ushtrisë. Kurrë nuk kam qenë e njëanshme në marrëdhëniet bilaterale mes Kosovës dhe Serbisë. Të gjitha qëndrimet e mia kanë për qëllim t’i shërbejnë paqes dhe stabilitetit në rajon”, shkruan ajo.