Gaza vijon të mbetet në mëshirë të fatit. 29 persona, përfshirë fëmijë dhe të moshuar, kanë humbur jetën për shkak të kushteve të rënda të urisë, ndërsa mijëra të tjerë janë në prag të vdekjes.
Ky bilanc tragjik është shënuar në vetëm dy ditët e fundit, ndërsa shumë familje kanë vuajtur në heshtje, përballë mungesës së ushqimit dhe mundësive për të mbijetuar.
Lajmi vjen ndërkohë që ofensiva ushtarake izraelite ka rifilluar me intensitet të shtuar, duke shkaktuar vdekjen e dhjetëra personave të tjerë që nga agimi i ditës së enjte.
Sipas Zyrës për Koordinimin e Çështjeve Humanitare të OKB-së, rreth 90 nga afro 200 kamionë me furnizime ushqimore dhe mjekësore kanë hyrë në Gaza, por shpërndarja e ndihmave mbetet një sfidë për shkak të pasigurisë, rrezikut të plaçkitjeve dhe koordinimit të vështirë me autoritetet izraelite.
Ndërkohë, në një reagim në rrjetet sociale, kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu ka ngritur akuza të forta ndaj liderëve të disa vendeve perëndimore, duke deklaruar se ata kanë shprehur mbështetje të heshtur për Hamasin.
“I them presidentit Macron, kryeministrit Carney dhe kryeministrit Starmer, kur ju falënderoni vrasësit masivë, dhunuesit, vrasësit e foshnjave dhe rrëmbyesit, jeni në anën e gabuar të drejtësisë”, tha ai.
Ky reagim erdhi pasi liderët e Britanisë, Francës dhe Kanadasë paralajmëruan se nuk do të rrinë duarkryq përballë veprimeve skandaloze të qeverisë së Netanyahut dhe do të ndërmarrin veprime nëse Izraeli nuk e ndal operacionin e tij të ri ushtarak në Rripin e Gazës dhe nuk heq kufizimet për hyrjen e ndihmës humanitare.