Kriza ekonomike jo vetëm që ka rënduar xhepat e të gjithë qytetarëve në Maqedoninë e Veriut por ka bërë që edhe të rritet numri i qytetarëve të cilët jetojnë në varfëri ekstreme. Në vendin tonë shporta konsumatore për një familje 4 anëtarëshe shkon deri në 50 mijë denarë ndërkohë ndihma sociale që e ofron shteti është 4200 deri 10000 denarë. Shtrenjtimi i kostos së jetës ka ndikuar që kohëve të fundit në qytetin e Strugës të rritet numri i familjeve që shfrytëzojnë ndihmë sociale.
Gjithnjë e më shumë po rëndohen xhepat e qytetarëve si pasojë e krizës ekonomike. Faturat e larta të energjisë elektrike dhe rritja e madhe e çmimeve të produkteve bazike ushqimore janë bërë të papërballueshme për çdo qytetar në vendin tonë, e me theks të veçantë për pjesën më të varfër të popullsisë. Sipas të dhënave të Entit Shtetëror të Statistikave, në shtator të këtij viti, çmimet e prodhimit industrial në tregun vendas janë rritur.
24.9% nga një vit më parë. Gjatë vitit 2022 energjia elektrike është rritur për 34.3%, materialet e papërpunuara dhe lëndët djegëse u rritën për 24.1%, mallrat kapitale (ndërtesa, makineri, pajisje, automjete dhe mjete) janë rritur për 75.6%.
Në shumë raste biznesi manipulon me çmimet, duke tentuar të përfitojë në kohë krize dhe në kurriz të qytetarëve. Të dhënat statistikore tregojnë se qarkullimi në tregtinë e brendshme me shumicë dhe pakicë po thyen rekorde në disa grupe produktesh, por është një rritje nominale, çka do të thotë se shumat që përfundojnë në arkat e tregtarëve janë në rritje, por jo sasitë e shitura.
Sidoqoftë, rritje reale ose jo reale e çmimeve realiteti është se në vendin tonë shënon rritje numri i qytetarëve të cilët jetojnë në varfëri ekstreme. Të dhënat e Entit Shtetëror të Statistikave tregojnë se pothuajse 452 mijë qytetarë kanë jetuar nën kufirin e varfërisë në vitin 2020. Shkalla e të varfërve nga popullsia e përgjithshme është 21.8%, që është një rritje në krahasim me vitin 2019 kur kjo përqindje ishte 21.6. Sipas statistikës, varfëria më e madhe gjendet në familjet me katër anëtarë, me dy fëmijë nën moshën 14 vjeç.
Maqedonia e Veriut siguron asistencë sociale për të lehtësuar barrën ekonomike të familjeve në nevojë. Shuma e së drejtës për ndihmë minimale të garantuar varet nga numri i personave që jetojnë në një amvisëri, duke filluar nga 4.200 deri në 10.000 denarë. Ndërkohë sipas të dhënave të fundit të Entit Shtetëror të statistikave shporta konsumatore për një familje 4 anëtarëshe ka mbërritur në 50 mijë denarë. Për ballafaqim me krizën ekonomike, qeveria miratoi masë që parashikon ndihmë prej 3000 denarësh, për familjet sociale për 4 muajt e ardhshëm.
Në Strugë rritet numri i familjeve që pranojnë ndihmë sociale nga shteti
Nga Qendra për Punë Sociale në Strugë thonë se është rritur shumë numri i familjeve që pranojnë asistencë minimale gjatë muajve të fundit të këtij viti. Në vitin 2020 në Strugë ndihmë sociale shfrytëzonin rreth 320 familje ndërsa kohën e fundit ky numër është rritur në 455 familje. I lartë është numri edhe i atyre personave të cilët një vakët ushqimor pa pagesë e konsumojnë në kuzhinën kombëtare të Qendrës Sociale në Strugë.
“Numri i asistencës minimale të garantuar dhe numri i personave apo familjeve që konsumojnë një vakt në ditë nga kuzhina popullore, ndryshon nga muaji në muaj. Në fillim të vitit 2020, numri i familjeve që shfrytëzuan ndihmën minimale të garantuar ishte 324 familje dhe shpërndaheshin rreth 50 porcione ushqimore në ditë. Tashmë, në muajin e fundit, e drejta e asistencës minimale të garantuar u është paguar 455 familjeve dhe çdo dit shpërndahen 54 vakte porcione nga kuzhina kombëtare”, deklaruan për Portalb.mk nga Qendra për Punë Sociale në Strugë.
Duke mos mundur ta përballojnë jetën me asistencën sociale që e ofron shteti struganët mundohen që halleve të tyre ekonomike tu gjejnë zgjidhje në organizatat humanitare. Nga shoqata humanitare “Bamirësit Struganë” thonë për Portalb.mk se në adresën e tyre kërkohen ndihma nga më të ndryshmet, duke filluar nga kërkesat bazike për ushqim dhe veshmbathje deri tek renovimi dhe ndërtim i shtëpive.
“Në Shoqatën tonë kërkesat për ndihmë shtohen çdo ditë e më shumë. Aktualisht ne pagojm faturat e rrymës për 10 familje, dy shtëpi i kemi në proces ndërtimi ndërkohë së shpejti do të nis puna për ndërtimin edhe të një shtëpie. Dua të theksojë se lehtësojmë financiarisht studimet për 10 studentë të shkëlqyer nga Struga edhe pse kërkesa për bursa ka pasur dhe vazhdon të ketë shumë”, deklaroi Arment Roçi drejtor i Shoqatës Humanitare “Bamirësit Struganë”.
Kjo shoqatë ka 3 vite që është aktive në Strugë dhe deri më sot ka ndihmuar më shumë se 100 familje në mënyra të ndryshme. Donatorët janë të gjithë persona privat, por edhe biznese lokale, nga vendi dhe jashtë të cilët në të shumtën e rasteve preferojnë të mbesin anonim.
“Kohën e fundit kemi shumë kërkesa për ndihmë nga prindër të fëmijëve me autizëm, ose me ndonjë lloj tjetër problemi të zhvillimit intelketual, të cilët nuk kanë mundësi ti mbulojnë shpenzimet për trajtim dhe zhvillim të fëmijëve të tyre. Ka shumë për të folur rreth ndihmave që ne sigurojmë por dua të theksojë faktin se këto ndihma nuk do të ishin të mundshme pa kontributin bujar të bashkëqytetareve tanë. Ne kemi mbështetje të madhe nga qytetarët dhe biznesi në Strugë megjithatë donacionet më të mëdha vijnë nga mërgimtarët tanë në Amerikë, Zvicër, Austri dhe Gjermani”, shtoi Arment Roçi drejtor i Shoqatës Humanitare “Bamirësit Struganë”.
Nga ana tjetër, në qytet turistike si Struga dhe Ohri rrezikohet reduktimi i vendeve të punës si pasojë e mbylljes së objekteve gastronomike të cilët përballen me shpenzime të mëdha, ulje të qarkullimit dhe shumë më pak punë.
Me një standard jete mesatare, në RMV mundet të kursehet më pak se 50 euro në vit
Qytetarët e Maqedonisë së Veriut e kanë thuajse të pamundur të kursejnë sado pak nga të ardhurat e tyre mujore. Shkak kryesor për këtë është rritja e shpenzimeve mujore për ushqim, shërbime, higjienë dhe nevoja të tjera elementare. Një analizë e portalit ekonomik Bloomberg Adria tregon se nëse vitin e kaluar, një amvisëri në vendin tonë ka mundur të ndajë 11.569 denarë (188 euro) ose 3.178 denarë (rreth 50 euro) për anëtar të familjes këtë vit duke pasur parasysh rritjen rekord të inflacionit, i cili arriti në 18.7 për qind në shtator, mundësia për kursim do të jetë edhe më e vogël se 50 euro për person.
Vlen të përmendet se mundësia e kursimit ndryshon nga kategoria socio-ekonomike e familjeve, pra nëse bëhet fjalë për ekonomi shtëpiake bujqësore, të përziera apo jo bujqësore. Portalb mk