Rreziku më i madh për Maqedoninë e Veriut dhe për Evropën nga kriza në Afganistan është vala e re e emigrantëve që do të vendosin të largohen nga vendi nën presionin e regjimit të Talebanëve, por edhe të varfërisë në vend. Disa nga pjesëmarrësit në debat, të cilin në lidhje me këtë temë e organizoi Ministri i Punëve të Jashtme Bujar Osmani, paralajmëruan edhe mundësinë nga përhapja e islamit radikal. Të tjerët në emigrantët afganë shohin potencial për fuqinë punëtore e cila në vend tashmë mungon.
Si rezultat i krizës në Afganistan, krahas distancës fizike mbi 4 mijë kilometra, është mirë që Maqedonia e Veriut t’i analizojë të gjitha rreziqet e mundshme dhe të veprojë në mënyrë parandaluese, në emër të sigurisë kombëtare dhe globale, gjë për të cilën tani e obligon edhe anëtarësimi në NATO. Për këtë qëllim shefi i diplomacisë Bujar Osmani me disa analistë dhe ambasadorë zëshëm i kanë shprehur qëndrimet e tyre për atë ku mund të shpie paparashikueshëmria momentale në Afganistan.
BUJAR OSMANI, MINISTËR I PUNËVE TË JASHTME
“Paparishikueshmëria sjell numër të madh të krizave, qoftë kriza të mundshme humanitare, valë të emigrantëve, rrjedha të emigrantëve, kërcënime terroriste, ekstremizëm i dhunshëm dhe të tjera. Të gjitha këto janë kriza potenciale që mund të dalin si rezultat i kësaj paparishikueshmërie dhe pasigurie.”
Rreziku më i madh sipas profesorit Nano Ruzhin është mundësia që vala e kontrolluar e emigrantëve rreth 130 mijë, të kthehet në cunami nga një valë e pakontrolluar, që mund ta godasë Ballkanin dhe Evropën.
NANO RUZHIN, PROFESOR
“Megjithatë, strategjia globale e BE-së është që numri më i madh i këtyre njerëzve që dëshirojnë të largohen nga Afganistani të jenë në shtetet fqinje. Taxhikistani tashmë ka pranuar 100 mijë, Irani dhe Pakistani gjithashtu. BE-ka problem në marrëdhëniet me Iranin dhe nuk e dimë si do të zhvillohen gjërat, por me siguri do të jetë ngjajshëm si me Turqinë, të ndihmojnë financiarisht.”
Pranimi i emigrantëve në Maqedoninë e Veriut, për momentin rreth 700 civilë, mund të shihet edhe në aspekt të mundësive, u theksua në debat.
ANALIST
“Sepse në anën tjetër të politikës së migrimit ne kemi largim të madh të kuadrove drejt Evropës Perëndimore, posaçërisht i dukshëm në brendësi të vendit. Përqindja relativisht e lartë e papunësisë nuk ka të bëjë aq shumë me mospasjen e vendeve të punës, sa me mospërshtatjen me fuqinë punëtore. Për këtë arsye mund të mendojmë që emigrantët që eventualisht do të vinë te ne t’i shfrytëzojmë si burime dhe përfitim për shtetin.”
Sipas disa pjesëmarrësve në debat, për momentin është e pasigurtë nëse Talebanët do të kenë ambicie që gjithë ndikimin dhe tyre dhe udhëheqjen e shtetit sipas të drejtës islame ta përhapin edhe në shtetet fqinje të Afganistanit, madje edhe më gjërë, duke e kundërshtuar rendin global sekular.