Ministrat e Punëve të Brendshme të Bashkimit Evropian miratuan më 8 dhjetor hyrjen e Kroacisë në zonën e Schengenit.
Sipas këtij vendimi, nga 1 janari i vitit 2023 nuk do të ketë më kontrolle të udhëtarëve në kufijtë Kroaci-Slloveni dhe Kroaci-Hungari. Ndërkaq, nga pranvera do të hiqen edhe kontrollet për fluturimet nga aeroportet e Kroacisë drejt vendeve të Schengenit.
Brenda zonës Schengen mundësohet lëvizja e lirë e mbi 400 milionë banorëve të BE-së, së bashku me shtetasit e vendeve që s’janë pjesë e bllokut, por që jetojnë apo vizitojnë shtetet e BE-së. Në zonën e Schengenit janë shumica e shteteve të BE-së, me përjashtim të Qipros, rlandës, Bullgarisë dhe Rumanisë. Në këtë zonë bëjnë pjesë edhe shtete joanëtare të bllokut, sikurse Zvicra Lihtenshtajni, Norvegjia dhe Islanda.
Pajtimi që Kroacia të futej në Schengen ishte arritur muaj më parë, pasi asnjë shtet anëtar nuk ishte shprehur kundër këtij vendimi. Por, miratimi i vendimit ishte një procedurë më e komplikuar për shkak se u insistua që të njëjtën kohë të miratohej edhe vendimi për Bullgarinë dhe Rumaninë. Por, disa shtete, përfshirë Austrinë dhe Holandën, ishin kundër hyrjes së Bullgarisë në zonën Schengen.
Me hyrjen e Kroacisë në zonën e lëvizjes së lirë të Schengenit, kufijtë e jashtëm të kësaj zone zhvendosen në kufijtë e jashtëm të Bashkimit Evropian, e ata janë kufijtë e Kroacisë me Serbinë, Bosnjë e Hercegovinën dhe Malin e Zi.
Kroacia ka kufirin më të gjatë tokësorë të jashtëm nga të gjitha vendet anëtare të Bashkimit Evropian.
Por, në praktikë nuk do të ketë ndryshime në kushtet për hyrje në Kroaci nga këto shtete të rajonit, pasi autoritetet kroate edhe deri më tash kanë zbatuar rregullat e Schengenit për hyrje nga vendet që nuk pjesë e BE-së.
Ajo që do të ndryshojë, dhe që do të ketë rëndësi për miliona persona që gjatë pushimeve udhëtojnë përmes Kroacisë drejt vendeve të Ballkanit Perëndimor, është se ata më nuk do të ndalen për kontrolle kufitare në kufijtë me Slloveninë apo Hungarinë.
Kjo nënkupton se nëse dikush nga Kosova niset me makinë drejt Norvegjisë, pasi të hyjë në territorin e Kroacisë, më nuk do të ketë nevojë të ndalet në asnjë kufi tjetër.
Pas hyrjes në Kroaci, qytetarët do të mund të vazhdojnë udhëtimin drejt pothuajse të gjitha shteteve të Evropës Perëndimore, pa pasur nevojë të ndalen nëpër kufij. Edhe gjatë udhëtimeve me avion transit përmes Kroacisë, pasagjerët do të duhet të tregojnë pasaportat vetëm në aeroportet kroate, e më pas të shmangin kontrolle shtesë.
Kryeministri kroat, Andrej Pllenkoviç, duke komentuar vendimin e BE-së, tha se ky ishte lajm i mirë për Kroacinë, e cila, sipas tij, po realizon qëllimet e saj kombëtare, por ky vendim do të ndihmojë edhe në rritjen e biznesit, tregtisë dhe turizmit.
Pas hyrjes së Kroacisë në Schengen, shteti do të lëshojë edhe të ashtuquajturat viza Schengen, që vlejnë për udhëtime në të gjitha shtetet anëtare të kësaj zone.
Krijimi i zonës Schengen konsiderohet si një prej të arriturave më të mëdha të procesit të integrimit evropian. Por, në vitet e fundit disa anëtarë kanë vënë në dyshim këtë, pasi kanë pezulluar përkohësisht rregullat e Schengenit, duke rikthyer kontrollet në kufijtë e tyre. Kjo u bë për shkak të masave kundër përhapjes së pandemisë së koronavirusit.
Pikërisht për këto pezullime të rregullave, tani ka nisur procesi i reformës së sistemit të Schengenit, të politikës së azilit dhe migracionit të BE-së.
Vendet të cilat bëhen anëtare të BE-së janë të obliguara që pas kësaj të bëhen edhe pjesë e zonës Schengen, por afati për anëtarësim varet nga përmbushja e kritereve.
Më 1 janar të vitit 2023, kur Kroacia zyrtarisht hyn në Schengen, ky shtet do të bëhet anëtar i eurozonës dhe do ta përdorë euron si valutë./ REL