Nga Komisioni Rregullator për Energjetikë dhe Shërbime Ujore (KRRE) thonë se në vendin tonë ka mjaftueshëm derivate të naftës, përcjell TV21. Nga ky institucion thonë se tregtarët rregullisht furnizohen me karburante sipas kërkesës, por disa nga tregtarët e vegjël nuk sillen në mënyrë korrekte dhe e kufizojnë ofertën, me çka lënë përshtypje se nuk ka karburante.
“Në këtë mënyrë krijojnë ‘rezerva’, të cilat do t’i shisnin me çmime të reja që në njëfarë mënyre në kushte të krizës është përfitim”, theksojnë nga KRRE.
Nga Komisioni theksojnë se gjatë ditës së sotme kanë marrë indikacione nga një numër i madh i konsumatorëve se disa tregtarë me pakicë me derivate të naftës e kanë kufizuar sasinë, gjegjësisht shumën me të cilën e shesin karburantin i cili derdhet në automobila.
“Disa pompa të benzinës kanë lejuar që maksimalisht deri në 500 denarë të mundet një veturë të mbushë karburant. Të tjera nuk lejojnë që karburante të mbushin kamionët. Për situatën KRRE e njoftoi Inspektoratin Shtetëror të Tregut menjëherë t’i përforcojë kontrollet në teren te tregtarët dhe të pamundësohet sjellje e këtillë e cila është e palejueshme dhe e ndaluar. Artificialisht dëmtohet tregu dhe shkelen parimet themelore për siguri në furnizimin me energji”, shtojnë nga KRRE.