Kryeministri i Bullgarisë Kiril Petkov konfirmoi se më 18 janar do ta vizitojë Republikën e Maqedonisë së Veriut, në përgjigje të seancës për pyetjet e deputetëve në Kuvendin Popullor.
Siç lajmëroi korrespondenti i MIA-s nga Sofja, Petkov këtë e deklaroi në përgjigje të pyetjes së ish ministres për Punë të Jashtme Ekaterina Zaharieva.
Petkov tha se fqinjësia e mirë është parim shumë i rëndësishëm në marrëdhëniet ndërmjet Bullgarisë dhe Maqedonisë së Veriut. Ai shtoi se qëndrimi i Bullgarisë për procesin negociues me Republikën e Maqedonisë së Veriut është ruajtur pikërisht ashtu siç është dakorduar në marrëveshjen e koalicionit ndërmjet partive politike në koalicionin qeveritar. Qëndrimi është i njëjtë, thotë ai, por Qeveria në Sofje po e përmirëson atë me pesë komisione të ndryshme të veçanta për të përmirësuar këto marrëdhënie.
Petkov u shpreh i habitur sepse në vitin 2021 nuk ka pasur asnjë fluturim nga Sofja në Shkup, si dhe asnjë linjë hekurudhore. Ai pyeti edhe pse Bullgaria dhe Maqedonia e Veriut nuk kanë kalendar të përbashkët kulturor, si dhe pse nuk ka ndërveprim mes sektorëve të biznesit nga të dy vendet fqinje.
Petkov bindi se absolutisht ka qëndrim të qartë të përbashkët në koalicion, si dhe koordinim të plotë në Këshillin e ministrave të Bullgarisë në këtë temë.
“Me shkuarjen në biseda më 18 janar tregojmë se fqinjësia e mirë është parim fundamental i marrëdhënieve tona me Republikën e Maqedonisë së Veriut. Shpresoj se Qeveria jonë do ta tregojë dallimin mes planeve të mira dhe rezultateve të arritura”, tha në përfundim kryeministri bullgar Kiril Petkov në Kuvendin Popullor.