Kryeministri “car” i Kamboxhias: Për ta zënë vendin tim, duhet të prisni deri në jetën tjetër

Kryeministri i Kamboxhias, Hun Sen, ka thënë të hënën se partia e tij do të jetë forcë mbizotëruese në politikë për një shekull, duke i thënë opozitës se duhet të presë deri në jetën tjetër për të ardhur në pushtet.

Marketing

Partia Popullore e Kamboxhias, e cila udhëhiqet nga kryeministri Sen dhe e cila ka qenë në pushtet që nga viti 1979, i ka të gjitha ulëset e kuvendit me 125 deputetë pasi partia kryesore opozitare ishte shpërbërë para zgjedhjeve të vitit 2018 nën akuzën për tentim të rrëzimit të qeverisë.

Hun Sen është njëri nga liderët që ka qëndruar më së gjati në pushtet me më shumë se tri dekada në pozitë. Ai tha se partia CPP do të mbetet aty ku është dhe askush nuk mund ta sfidojë këtë.

“Kush e ka kapacitetin që ta zëvendësojë Hun Senin tash për tash? Të jemi të sinqertë dhe të flasim. Askush”, tha ai pasi e inspektoi ndërtimin e një aeroporti.

“Nëse ju e dëshironi këtë, ndoshta prisni deri në jetën tjetër. Kur është prania e Hun Senit dhe e CPP-së, ju duhet të prisni deri në jetën tjetër”, tha kryeministri i Kamboxhias gjatë një fjalimi të transmetuar drejtpërdrejt në Facebook.

Partia kryesore opozitare ishte shpërbërë në vitin 2017 dhe 118 anëtarëve të saj u ishte ndaluar pjesëmarrja në politikë për pesë vjet si pjesë e një fushate të gjerë për shtypjen e opozitës, shoqërisë civile dhe medieve para zgjedhjeve të vitit 2018.

Marketing