Kryeministri i Japonisë “do të dorëhiqet”

Kryeministri japonez Shinzo Abe ka vendosur të japë dorëheqje për arsye shëndetësore, raportojnë media lokale.

Marketing

Ai ka vuajtur nga një sëmundje inflamatore e zorrëve, por gjendja e tij mendohet se është përkeqësuar kohët e fundit.

Transmetuesi publik NHK tha se Abe, 65 vjeç, dëshironte të shmangte shkaktimin e problemeve për qeverinë e tij.

Në fillim të kësaj jave, ai u bë kryeministri me kohën më të gjatë në detyrë, pasi filloi mandatin më 2012.

Zyrtarët nga Partia e tij qeverisëse Liberale Demokratike (LDP) më parë kanë hedhur poshtë spekulimet se ai do të tërhiqet, duke thënë se shëndeti i kryeministrit është i mirë.

Të martën një nga ndihmësit e tij i tha Reuters se Abe do të përmbushë mandatin e tij.

Sipas ligjit japonez, nëse dorëhiqet kryeministri, atëherë një kryeministër i përkohshëm e merr detyrën.

Zëvendëskryeministri, Taro Aso, i cili është edhe ministër i Financave, është i pari në radhë, i ndjekur nga sekretari i kabinetit Yoshihide Suga.

Një kryeministër i përkohshëm nuk mund të thërrasë zgjedhje të parakohshme.

Një dorëheqje ose një qëllim i paralajmëruar për të dhënë dorëheqjen do të shkaktonte një votim brenda partisë së Abe-s, për ta zëvendësuar atë si president.

Këto zgjedhje do të pasoheshin me një votim parlamentar për të zgjedhur një kryeministër të ri.

Fituesi do të mbante postin deri në fund të mandatit të Abes, në shtator 2021.