Kryeministri kanadez shpall zgjedhje të parakohshme

Kanadaja shkon në zgjedhje të parakohshme më 28 prill, pasi kryeministri i sapoemëruar, Mark Carney, shpalli mbajtjen e tyre vetëm nëntë ditë pasi mori detyrën.

Vendimi vjen në një moment të tensionuar për vendin, i cili po përballet me një luftë tregtare dhe kërcënime ndaj sovranitetit nga presidenti amerikan Donald Trump – çështje që pritet të jenë kryesore në fushatë, raporton BBC.

Carney, i cili vjen nga radhët e liberalëve, mori detyrën pas dorëheqjes së Justin Trudeau. Ai do të përballet në zgjedhje me liderin e Partisë Konservatore, Pierre Poilievre, i cili ka kryesuar në sondazhe që nga mesi i vitit 2023. Megjithatë, sondazhet e fundit tregojnë një garë të ngushtë mes dy liderëve.

Carney siguroi lidershipin e liberalëve duke fituar me 85.9% të votave në garën e brendshme, duke mposhtur rivalen e tij më të afërt, ish-ministren e Financave, Chrystia Freeland. Pas shpalljes së rezultatit, në një tubim në Otava me rreth 1,600 mbështetës, ai u prit me brohoritje të forta.

Në fjalimin e tij, kryeministri i ri u përqendrua kryesisht te sfidat ekonomike dhe tarifat që presidenti amerikan Trump ka vendosur ndaj Kanadasë, duke i quajtur ato “të pajustifikuara”.

Marketing