Kryeparlamentari Afrim Gashi uron Bajramin

Afrim Gashi, kryetar i Kuvendit të Republikës së Maqedonisë së Veriut ka uruar besitmarët myslimanë për festën e Kurban Bajramit.

Marketing

Ai ka theksuar se është ndër festat më kuptimplote që flet me historikun e saj të flijimit të më të dashurës dhe më të shtrenjtës për idealet më të larta e sublime.

“Ngjarja e babait të monoteizmit, Ibrahimit, me të birin e tij, Ismailin, është jo vetëm skena më prekëse në shiritin e historisë, por është edhe ngjarja më mbresëlënëse në kuptim të gatishmërisë së njeriut për të flijuar dhe për t’u flijuar për një premtim dhe për një vlerë të përtejme. Pas tyre krejt historia është ndërtuar me personazhe që kanë flijuar e janë flijuar në emër të një ideali dhe një besimi. Ndryshe kjo botë nuk do të ishte kjo që është dhe ne nuk do të ishim këtu ku jemi.

E duke i ndërmendur të gjithë ata etër të vendit tonë e të kombit tonë, që me veprën e tyre ose, shprehur me gjuhën e kësaj feste, me kurbanin e tyre na kanë mundësuar të kemi një jetë të dinjitetshme e paqësore, uroj që kjo festë t’ju ketë gjetur pranë sofrave familjare, duke i uruar e duke i përqafuar të dashurit tuaj, duke u kujdesur për nevojtarët e duke u solidarizuar me ata që nuk kanë nevojë vetëm për bukë, por edhe për buzëqeshje. E gëzofshi për jetë të jetëve Bajramin e Kurbanit!”, ka shkruar Gashi.