Kryeparlamentari Gashi në Forumin Parlamentar Ekonomik të Asamblesë Parlamentare të Mesdheut në Marakesh, Maroko

Kryetari i Kuvendit të Republikës së Maqedonisë së Veriut, Afrim Gashi, do të marrë pjesë në Forumin Parlamentar Ekonomik të shteteve anëtare të Asamblesë Parlamentare të Mesdheut (PAM), i cili do të mbahet në Marakesh, Maroko, më 23 dhe 24 maj.

Marketing

Në këtë manifestim do të marrin pjesë edhe deputetët Sali Murati, Kaltrina Beqiri dhe Dafina Stojanoska, anëtarë të Delegacionit të APM-së në Kuvendin e RMV-së.

Tema themelore të Forumit janë: Evolucioni i tregtisë dhe financave ndërkombëtare në rajon; Përshtatja energjetike si qasje shumëdimensionale ndaj zhvillimit të qëndrueshëm; Zhvillimi dhe menaxhimi i inteligjencës artificiale, me theks të veçantë në rolin e parlamenteve në zbatimin dhe rregullimin e saj.

Kryetari Gashi gjatë pjesëmarrjes në këtë manifestim pritet të zhvillojë disa takime bilaterale, me qëllim të avancimit të bashkëpunimit dhe shkëmbimit të qëndrimeve për çështjet aktuale.

***

Asambleja Parlamentare e Mesdheut është organizatë ndërkombëtare e themeluar në vitin 2005 nga parlamentet nacionale të vendeve të rajonit Euro-mesdhetar. Ky është pasardhës ligjor i Konferencës për Siguri dhe Bashkëpunim në Mesdhe (KSBM), e nisur në fillim të viteve të 90-ta. Asambleja Parlamentare e Mesdheut (PAM) është organizatë ndërkombëtare që bashkon 34 parlamente anëtare nga rajonet Euro-Mesdhetare dhe të Gjirit për të diskutuar dhe përballur me çështje kritike, siç janë konfliktet rajonale, siguria dhe lufta kundër terrorizmit, krizat humanitare, integrimi ekonomik, ndryshimet klimatike, migrimet masive, arsimi, të drejtat e njeriut dhe dialogu ndërfetarë.