Kryetari i Kuvendit Talat Xhaferi në Athinë morri pjesë në Sesionin e IX Plenar të Asamblesë Plenare të Procesit të Bashkëpunimit në Evropën Juglindore
Në fjalimin e tij kryeparlamentari theksoi se ne nuk mund të jemi as të verbër, as imunë ndaj këtyre kanosjeve. Trendët globalë, rajonalë dhe nacionalë që shfaqen, ndikojnë edhe mbi zhvillimin e Maqedonisë së Veriut. Ne doemos të jemi të përgatitur që bashkë, në bashkërenditje dhe me sa më pak dëm ti tejkalojmë ato sfida. Prandaj, bashkëveprimi që vendoset në këtë forum dhe në të gjitha forumet tjera ndërkombëtare është me rëndësi thelbësore për zhvillimin dhe mirëqenien e shteteve dhe qytetarëve tanë- tha Xhaferi.
Fjalimi i plotë:
Më vjen mirë që mund të përshëndes këtë forum të respektuar në emër të Kuvendit të Republikës së Maqedonisë së Veriut dhe në emrin tim personal, dhe të shpreh kënaqësi që Asambleja Parlamentare e Procesit të Bashkëpunimit në Evropën Juglindore, vazhdon të jetë zëri autentik i rajonit dhe forumi ku zhvillohet dialogu politik dhe diplomatik ndërmjet vendeve anëtare të kësaj Asambleje. Ky është vendi ku bëjmë përpjekje të ndërtojmë marrëdhënie të mira fqinjësore ndërmjet nesh dhe të bashkëpunojmë, sepse kështu përforcohet stabiliteti dhe siguria e rajonit, që janë postulatet themelore të Kartës themeluese të Procesit në Bukuresht. Dhe ato, për momentin janë të rrezikuara më shumë se kurdoherë, dhe prandaj ky tubim i sotëm është më se i mirëseardhur. Besoj se do të kemi diskutim të frytshëm.
Të nderuar miq,
Duke e pasur parasysh se tema jonë e sotme i përfshin qëllimet e zhvillimit të qëndrueshëm, konkretisht sigurinë e furnizimit energjetik dhe zinxhirët bujqësorë dhe ndikimin e krizës mbi to në Evropën Juglindore, dua t’ju njoftoj se Republika e Maqedonisë së Veriut është njëri nga 193 vendet që edhe zyrtarisht i miratoi Qëllimet e Agjendës 2030 për zhvillim të qëndrueshëm që u miratua në Asamblenë e Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara në shtator të vitit 2015. Agjenda paraqet përmbledhje të 17 qëllimeve gjithëpërfshirëse, të shoqëruara me 169 qëllime specifike, qëllimi i fundit i të cilave është çrrënjosja e varfërisë, fundi i pabarazisë, ndërtimi i paqes dhe menaxhimi i ndryshimeve klimatike deri në vitin 2030, duke siguruar me këtë rast që askush mos mbesë i anashkaluar. Si rezultat i kësaj, në korrik të vitit 2020 e prezantuam edhe Planin tonë Nacional Vullnetar para Forumit të Lartë Politik të Zhvillimit të Qëndrueshëm. Aderimi u mbështet nga institucionet tona nacionale, me ç’rast edhe nga dhoma ligjvënëse, e cila ka rolin kryesor në drejtim të inkorporimit të qëllimeve të zhvillimit të qëndrueshëm në legjislacionin nacional. Nxjerrja e ligjeve nacionale që do të reagojnë dhe do të harmonizohen me prioritetet e zhvillimit të vendit tonë dhe ndjekja e zbatimit të tyre, miratimi i buxhetit nacional, po ashtu bëjnë pjesë të madhe në përmbushjen e këtyre qëllimeve. Prandaj, besoj se nuk ka nevojë për theksimin plotësues të rolit të parlamenteve si pushtet ligjvënës dhe i rëndësisë të bashkëpunimit të ndërsjellë, rajonal, ndërparlamentar në drejtim të arritjes së një stabiliteti të fortë, të përparimit dhe mirëqenies në Evropën Juglindore.
Të nderuar kolegë,
Unë jam ithtar i madh i diplomacisë parlamentare, sepse konsideroj se si deputetë jemi në pozitë më të mirë për të artikuluar aspiratat e qytetarëve tanë dhe të theksojmë se çka është vërtetë e rëndësishme për to. Doemos e kemi çdoherë të kemi ndërmend se si përfaqësuesit e tyre, bashkë me pushtetin ligjvënës, kemi përgjegjësi për përparimin nacional kah arritja e qëllimeve të zhvillimit të qëndrueshëm. Jemi të vetëdijshëm se për momentin jemi në mes të një krize globale nga sfidat e paradokohshme ndaj aspekteve kryesore në jetën e përditshme, mirëpo, edhe për atë se ekzistojnë kanosje bashkëkohore për të drejtat e njeriut. Ky është një motiv plus të bashkëpunojmë në mënyrë akoma më intensive. Të konsultohemi, të këmbejmë opinione dhe përvoja për arritjen më efektive të qëllimeve të zhvillimit të qëndrueshëm, mirëpo, të fusim edhe inovacione dhe mbështetje teknike për qarkullim të pangarkuar të produkteve thelbësore bujqësore-ushqimore, me shfrytëzimin e platformave ekzistuese rajonale, si edhe mekanizmave të Bashkimit Evropian.
Megjithatë, patjetër e kam me keqardhje t’ju rikujtoj se Republika e Maqedonisë së Veriut, edhe krahas gjithë mundit të dhënë në vendosjen e marrëdhënieve të mira fqinjësore dhe respektimin e parimeve themelore të të drejtës dhe rendit ndërkombëtar, siç është përcaktuar në Kartën e Kombeve të Bashkuara, akoma është në pritje të Konferencës së parë ndërqeveritare me Bashkimin Evropian. Ajo që e presim nga kjo Asamble Parlamentare është të vazhdojë me dhënien e mbështetjes në përputhje me të drejtën dhe vlerat e Bashkimit Evropian, në të cilat edhe bazohet. Sepse, vetëm bashkë, në mënyrë solidare dhe nivel të barabartë do të mund të ballafaqohemi me të gjitha sfidat që i shkaktojnë efektet që ndryshimet klimatike i sjellin në sferat e ndryshme të jetës, ndër të cilat prijnë edhe siguria e furnizimit me energji dhe zinxhiri bujqësoro – ushqimor. Ne nuk mund të jemi as të verbër, as imunë ndaj këtyre kanosjeve. Trendët globalë, rajonalë dhe nacionalë që shfaqen, ndikojnë edhe mbi zhvillimin e Maqedonisë së Veriut. Unë nuk dua të tingëlloj në mënyrë pesimiste, mirëpo, parashikimet janë se kriza energjetike dhe ushqimore nuk do të zvogëlohet, përkundrazi, do të zmadhohet. Ne doemos të jemi të përgatitur që bashkë, në bashkërenditje dhe me sa më pak dëm ti tejkalojmë ato sfida. Prandaj, bashkëveprimi që vendoset në këtë forum dhe në të gjitha forumet tjera ndërkombëtare është me rëndësi thelbësore për zhvillimin dhe mirëqenien e shteteve dhe qytetarëve tanë.
Të nderuar kolegë,
Në fund, dëshiroj të falënderoj mikpritësit, Parlamentin e Republikës së Greqisë për organizimin e suksesshëm të kësaj konference, me besim se bashkë dhe me konsensus do e miratojmë edhe Deklaratën. Krahas kësaj, Ju inkurajoj që më në fund të arrijmë marrëveshje edhe rreth Sekretariatit të Procesit të Bashkëpunimit të Evropës Juglindore.