Kryetari i BFI-së Sulejman Rexhepi ka kërkuar nga Qeveria që të ndajë buxhet edhe për punëtorët e BFI-së, në të kundërtën siç ka deklaruar do t’i pezullojë vendimet e BFI-së, dhe do të lejojë faljen e namazit nëpër xhami. Atëherë siç thotë Rexhepi nuk ka forcë që e lufton koronavirusin.
“Kam kërkuar nga sekretari i përgjithshëm Irsal Jakupi ta kontaktojë Bujar Osmanin ta shohë se është anëtarë i shtabit të Krizës dhe nënkryetarë i Qeverisë a ka diçka? Ai thotë se deri më tani nuk ka asgjë. Do t’i përkujtoj pak më ndryshe unë edhe me një shkresë tjetër, sepse mos dhashë Zoti që ne të heqim dorë t’i pezullojmë vendimet tona, nuk ka forcë që mund ta luftojë këtë epidemi, ju garantoj, atëherë këtu bëhet Bangladesh”, tha Sulejman Rexhepi, Kryetar i BFI-së.
Tv21 kontaktoi Bujar Osmanin për ta pyetur se a është pranuar kërkesa e BFI-së dhe a mund të cilësohet si kërcënim kjo deklaratë e Rexhepit.
Osmani tha se nuk ka një vendim deri më tani. Ndërsa deklaratën e Rexhepit nuk e cilëson si kërcënim por si kërkesë.
“Kam biseduar me Reisin dhe në asnjë moment nuk është kërcënuar, por vetëm ka shprehur nevojën për mbulimin e rrogave minimale edhe për imamët në situatë kur xhamitë janë të mbyllura ashtu si që mbulohen rrogat minimale për të punësuarit tjerë që janë të detyruar të mbyllin bizneset e tyre”, ka deklaruar Bujar Osmani Zv/Kryeministër.
I menjëhershëm ka qenë edhe reagimi i nënkryetarit të LSDM-së Muhamed Zekiri në facebook. Ai e quan Rexhepin rezil dhe kriminel.
“Ky far REZILI në vend se të del t’ju ndihmojë nevojtarëve në këtë kohë krize, ky pret shteti këtë ta ndihmojë… ccc.
Krimineli kriminel mbetet tjetër s’mund të bëhet!!!
Mrsh …”, ka shkruar Muhamed Zekiri, Nënkryetar i LSDM-së.
Për shkak të pandemisë globale me koronavirusin, BFI-ja i pezulloi faljet e namazeve në xhami me qëllim të parandalimit të përhapjes së koronavirusit. Nga Qeveria sollën vendim që edhe gjatë festave të Ramazanit, Bajramit dhe Pashkëve lutjet të bëhen nëpër shtëpi.