Kryetari i Çairit i reagon Pendarovskit: Rruga “Adem Demaçi” e emëruar sipas ligjit

Kryetari i Komunës së Çairit, Visar Ganiu ka reaguar kundër presidentit të Maqedonisë së Veriut, Stevo Pendarovski, për rrugën “Adem Demaçi” në Shkup, duke njoftuar se emërimi i kësaj rrugë i përmbushë të gjitha rregullat ligjore dhe është vendosur me shumicë votash në Kuvendin Komunal të Çairit. Ai thotë se kjo rrugë tashmë është edhe në gazetën zyrtare.

Marketing

Sipas Ganiut, deklarata e presidentit Pendarovski është e pa kuptimtë dhe e pa bazë.

“Kjo për arsye se aktivitetin që e kemi mbajtur për përurimin e rrugës ‘Adem Demaçi’, nuk e kemi vendosur në të zezë, por sot ai emër është në gazetën zyrtare. Të gjitha procedurat i ka kaluar. Po të doni mund të hyni edhe në Googlemap dhe ta kërkoni që ajo rrugë është me emrin e Adem Demaçit”, deklaroi Ganiu për RTK-në.

Reagimi i Ganiut vjen menjëherë pas deklaratës së presidentit të Maqedonisë së Veriut, Stevo Pendarovski, se riemërimi i rrugës “Adem Demaçi” në Komunën e Çairit është në kundërshtim me parimin e debatit demokratik dhe respektimit të trashëgimisë historike.

“Mënyra e zbatimit të idesë së riemërimit të rrugës në Komunën e Çairit është në kundërshtim me parimin e debatit demokratik dhe respektimit të trashëgimisë historike të të gjitha komuniteteve në vend. Në këtë drejtim, pres nga shërbimet kompetente të inspektimit të kontrollojnë nëse është respektuar parimi i shumicës së dyfishtë, i cili duhet të përfshijë votat e komuniteteve jo shumicë në atë komunë”, ka thënë presidenti Pendarovski.

Ndërkaq kryetari i Çairit, Visar Ganiu thotë se të gjitha procedurat paraprake janë konform ligjit për emërimin e rrugëve, që me maturi komuna i ka respektuar, duke kaluar edhe në Këshillin Komunal dhe në Këshillin e Qytetit të Shkupit.

“Kurse nga ana tjetër, na çuditë fakti që pothuajse të gjitha partitë kanë reaguar për emërimin e asaj rruge. Pretendojmë që jemi rrugës për Evropë dhe duhet t’i përmbushim të gjitha standardet evropiane. E në anën tjetër harrojmë se Parlamenti Evropian vetë Adem Demaçit i ka dhënë çmimin Saharov për paqe”, tha Ganiu, transmeton RTKlive.

Kryetari i Çairit ka shtuar se me këto reagime e me këtë mllef, nuk di se ku është nisur Maqedonia e Veriut.

Në përurimin e kësaj rruge në Çair ishte edhe kryeministri i Kosovës, Albin Kurti. Ai tha së në Kosovë ka disa rrugë që e mbajnë emrin “Adem Demaçi”, por emërtimi i një rruge me emrin Adem Demaçit në Komunën e Çairit në Maqedoninë e Veriut, e ka një rëndësi të veçantë.

“Kjo, sepse emërtimi i një rruge nuk është thjesht evidentim i një hapësire të lëvizjes, por edhe shenjim i një kohe me një emër”, tha Kurti.

Marketing