Kryetari i Kllokotit largon nga puna 51 persona: Punëson familjarët e tij

Besim Arifi, për 8 vjet ishte i punësuar në Komunën e Kllokotit si zyrtar i prokurimit, me kontratë të përhershme.

Marketing

Por, ka 5 muaj që është pushuar nga puna, me arsyen se ka bërë shkelje ligjore.

Sipas Arifit, kryetari i Komunës, këtë e ka bërë për arsye politike, pasi, siç thotë ai, nuk ka qenë mbështetës i tij, raporton KTV.

Arifi është ankuar fillimisht në Këshillin e Pavarur Mbikëqyrës për Shërbimin Civil.

E dy të tjerë që janë në mesin e 51 të pushuarve nga puna, kanë pasur kontratë 5-vjeçare, mirëpo ende pa përfunduar, atyre u është ndërprerë ajo.

Thonë që arsye për këtë është se kryetari ka dashur të punësojë familjarë të tij.

“Neve na kanë larguar nga puna vetëm që të punësojnë anëtarë të familjes së vet. Ne kemi kërkuar arsye që ta dimë pse po na largojnë nga puna, mirëpo nuk kemi marrë asnjëherë përgjigje. Ne kemi qenë në Inspektoratin e Arsimit në Gjilan, dy vendime kanë ardhur në favor tonin por nuk jemi kthyer në punë, përderisa çështja ka shkuar edhe në Ministrinë e Punës dhe të Mirëqenies Sociale, ata kanë kthyer përgjigje negative për ne, kështu që ne e kemi dërguar lëndën edhe në Gjykatë”, ka thënë Zoran Spasiq, ish-i punësuar në Komunën e Kllokotit.

“Mua më kanë larguar nga vendi i punës vetëm për ta punësuar një të afërm të tij, unë kam punuar si shtëpiak në Shtëpinë e Shëndetit në këtë komunë, mirëpo as mua nuk më kanë dhënë ndonjë arsye se pse po më ndërpritet kontrata”, ka thënë Jovica Stoliq, nga Komuna e Kllokotit.

Kryetari i Komunës së Kllokotit, Bozhidar Dejanoviq, ua ka ndërprerë kontratën 51 personave, 40 prej të cilëve janë në sektorin e arsimit dhe të shëndetësisë.

Auditori i Përgjithshëm ka gjetur parregullsi në ndërprerjen e njëanshme të kontratave të këtyre personave.

Edhe pse punonjësit kishin kontrata të punës deri në vitin 2024, menaxhmenti i Komunës i ka deklaruar si kontrata të pavlefshme dhe lëshoi vendimet për ndërprerjen e këtyre kontratave, thuhet në raportin e Auditorit.