Kryqi në Kodrën e Diellit “mollë sherri”/ Kovaçevski kritikon Kasamin, reagon Besa Senat Zylbehari

Politika duhet t’i largojë duart nga feja, sepse ne jemi shtet laik, këtë e tha mes tjerash kryeministri Dimitar Kovaçevski në komentin e tij për kryqin e vendosur në Kodër të Diellit. Kovaçevski thotë se në mungesë të projekteve, udhëheqësia e komunës së Tetovës po “gërvisht” ndjenjat kombëtare dhe fetare të qytetarëve.

Marketing

“Është vërtetuar ajo që unë e kam folur në të kaluarën, se në shtet ekzistojnë politikanë, para se të gjithash këtu mendoj për opozitën, që për momentin e udhëheq qytetin e Tetovës, që në mungesë të hapësirës dhe projekteve, realisht t’i tregojnë qytetarëve se çfarë kanë bërë ndërsa tani e shihni se kanë kaluar tashmë 2 vjet nga zgjedhjet lokale, gjysma e mandatit të kryetarëve të komunave ka kaluar, dhe tekstualisht ka kaluar ashtu, sepse nuk është bërë asgjë, nuk është bërë në lidhje me projektet që i premtuan, e vetmja gjë që u ka mbetur është që të gërvishtin ndjenjat kombëtare dhe fetare të qytetarëve dhe për këtë edhe një herë e përsëris, politika duhet t’i heqë duart nga feja”- deklaroi Dimitar Kovaçevski – kryeministër.

Nga Lëvizja Besa thonë se komuna e Tetovës ka realizuar 10 herë më shumë projekte se të gjithë komunat e LSD-së.

“I themi Kovaçevskit se Komuna e Tetovës ka realizuar dhjetë herë më shumë projekte se të gjitha komunat bashkë të LSDM-së. Për këtë e ftojmë të vjen në Tetovë me gjithë kryetarët e komunave të partisë së tij dhe para qytetarëve t’i prezantojmë projektet. Ka dëshmi se LSDM i ka dhënë tokën e ndërtimit Kishës dhe BDI ia ka dhënë lejen për ndërtim. Dhe dëshmia e fundit është se Kovaçevski e festoi vendosjen e kryqit me Vuçiqin në Beograd, duke pirë verë dhe kënduar këngë serbe.”- thanë nga Lëvizja Besa.

Vendosja e kryqit 15 metra në Kodrën e Diellit me 16 nëntor, ngjalli reagime të shumta. Nga komuna thanë se kryqi është pa leje, ndërsa deri më tani nuk ka asnjë informatë nëse do të largohet. Ditë më pas Stojançe Angellov tha se nëse dikush tenton ta largojë kryqin ai do e mbroj atë bashkë me shokët e vitit 2001.