Deri më tani në KSHZ janë dorëzuar 15 lista të kandidatëve të pavarur për kryetarë komunash, dhe vazhdon mbledhja e nënshkrimeve për 18 kandidatë të tjerë. Janë 42 lista për këshillat komunal për të cilat nënshkrimet janë mbledhur, dhe 24 të tjera janë në progres, njoftoi mbrëmë kryetari i KSHZ -së, Aleksandar Dashtevski, dy ditë para afatit, më 30 gusht, ku qytetarët mund të japin mbështetjen e tyre për pjesëmarrje në zgjedhjet lokale të 17 tetorit.
Kryetari i KSHZ-së, Dashtevski informoi se nënshkrimet po mblidhen për 18 kandidatë të tjerë të mundshëm për kryetarë, ndërsa për këshillat deri më tani janë mbledhur nënshkrime për 42 lista. Ai tha se pajisjet nga “Dermalog” do të mbërrijnë në fund të javës së ardhshme, edhe pse fillimisht u njoftua si datë 25 gushti.
Dashtevski informoi se deri më tani janë bërë 7,054 kontrolle në listën zgjedhore. Ai tha se ka 16 kërkesa për regjistrim në listën e votuesve, 28 për fshirjen e të dhënave dhe pesë kërkesa për ndryshim të të dhënave, nga të cilat 20 janë paraqitur në mënyrë elektronike.
Dashtevski tha se në fund të javës së ardhshme pritet të arrijnë pajisjet e para për identifikimin biometrik të votuesve dhe të hënën inxhinierët nga Gjermania duhet të mbërrijnë në vend. Kryetari i KSHZ -së tha se pajisjet e para duhej të kishin ardhur tashmë, por që këto janë procedura që lidhen me dokumentacionin.
Dashtevski shpjegoi se aparatet janë specifike dhe votimi do të bëhet duke vënë së pari dokumentin e identifikimit personal, pas së cilës do të shfaqen të dhënat personale të personit. Duke vendosur gishtin, kamera tregon nëse personi ka votuar. Nëse ai ka votuar, drita e kuqe do të ndizet, dhe nëse ai nuk ka votuar do të ndizet drita jeshile. Në rast se personi nuk është në vendvotimin aktual, kamera do të tregojë një dritë të verdhë dhe informacion në cilin vendvotim duhet të shkojë votuesi.
“Në specifikimet teknike për prokurimin, ne vendosim që pajisja duhet të ketë sinjal bip (të dëgjueshëm).” tha Dashtevski.
Ai shpreson se ky model votimi do t’i japë fund të gjithë pakënaqësisë që lind pas zgjedhjeve dhe mosnjohjes së rezultateve të zgjedhjeve.